“Nuk e tradhëtoj amanetin e të parëve”

Një grup i ri negociimi do të ngrihet nga Shqipëria per rinisjen e dialogut për marrëveshjen e detit me Greqinë. Nevojën për riformatimin e grupit negociator, e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama, i cili përsëriti edhe njëherë se nuk ka një marrëveshje me Greqinë dhe se negociatat janë ndërprerë që me ardhjen në pushtet të Demokracisë së Re të Kyriakos Mitsotakis.

“Nuk ka një marreveshje, negociatat janë ndërprerë që kur u ndërrua qeveria në Greqi dhe madje grupi negociator duhet të riformatohet dhe grupi kalon nga Presidenti i Repbublikës që dhe të thuash që sot negociohet është një gjë qesharake dhe e poshtër”.

Ndërkohë që në një tjetër reagim të gjatë, ai nënvizoi edhe njëherë se deklarata e Kryeministrit grek për zgjerimin e gjerësisë së detit territorial buron nga konventa ndërkombëtare dhe se nuk prek ujërat territorial të Shqipërisë, pasi zbatohet vetëm kur ka hapësirë detare dhe jo në rastin e gjirit të Sarandës dhe kanalit të Korfuzit.

“Fjala e Kryeministrit grek në parlament, siç e kam shpjeguar më parë, nuk ka asnjë lidhje me ujërat territorialë të Shqipërisë, me ndonjë marrëveshje mes Greqisë dhe Shqipërisë apo me ndonjë punë të Shqipërisë që lidhet me të drejtën e vendit fqinj për ato 12 miljet e stëpërfolura. E drejta e 12 miljeve buron nga Konventa Ndërkombëtare e të Drejtës së Detit dhe Greqia nuk ka kufij detarë vetëm me Shqipërinë, po edhe vende të tjera, kështu që kryeministri grek është në të drejtën e vet kur flet në parlamentin e tij, për detet e Greqisë”.

Rama sjell ndërmend faktin se ishte ai dhe Partia Socialiste, ata që ankimuan në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e vitit 2009 dhe që u hodh poshtë prej saj si antikushtetuese.

“Sa për kujtesë isha unë në krye të opozitës, kur çova në Gjykatën Kushtetuese, një marrëveshje të mëparshme, për kufijtë detarë me Greqinë, të firmosur e të vulosur nga Lulëzim Basha, me bekimin e me mbrojtjen publike të Sali Berishës e të Ilir Metës”.

Në fund të këtij reagimi, kreu i qeverisë shprehet se nuk do të tradhtojë kurrë interesin e Shqipërisë.

“Mbajeni vath në vesh dhe as kur ju bie në kokë rakia e pështirë e fuçive politike e mediatike mos e vini kurrë në dyshim, se nuk bën dot vaki që unë të tradhëtoj amanetin e katragjyshërve e stërgjyshërve të mi, nga gjaku familjar apo nga gjaku shpirtëror; as amanetin e Kristaq Ramës së parë, stërgjyshit tim që shkriu pasurinë për hapjen e shkollave shqipe dhe as amanetin e Odise Kasnecit, stërgjyshit të Anetës”.

Tv Klan