Ndalesën e radhës së turit “Punët e Shqipërisë”, kryeministri Edi Rama e pati në Dibër, në një nga plantacionet e njohura të qershisë, produkt tipik i zonës, ku rreth 30 fermerë janë bashkuar në një Shoqëri të Bashkuar Bujqësore , në bashkëpunim me bashkinë si aksionere.

Rama u kërkoi fermerëve të bashkohen në mënyrë që të forcojnë pozitat në tregun europian. 

“Bashkimi Europian funksionon me kooperativa, por ndryshe nga kooperativat e komunizmit në kooperativat e Bashkimit Europian secili prodhon më vete dhe të gjithë shesin bashkë. Një model shembullor ku fermerët, po edhe ata shqiptarë si ne, edhe ata me frikë nga kooperativa, por ama të mençur për të thënë do shesim mandarina, po do i shesim bashkë që kur të vijnë ata grosistët, ne të kemi një volum të madh edhe të kemi forcë. Jo t’i mbledhin copa-copa. Delet që ndahen nga tufa i ha ujku kanë pas thënë të moçmit”, tha Rama.

Në bashkëbisedim me ta, kreu i qeverisë foli për përfitimet që sjellin shoqëritë e bashkuara bujqësore.

“Duke shitur bashkë krijojnë një volum shumë më të madh, pra kanë një pozitë negociuese shumë më të fortë me blerësin, por nga ana tjetër harmonizojnë të gjithë veprimtarinë prodhuese pasi mbjellin me një farë, pastaj ndajnë kostot e punimit të tokës, ndajnë kostot e përkujdesit për prodhimin dhe pastaj grumbullojnë, ambalazhojnë dhe shesin. “Dibra Origin” në anglisht për tregun europian. Po, shumë mirë. Në rregull, për tregun europian dhe për të gjithë europianët e bulevardit të Tiranës”, shtoi kryeministri.

Kushtet e kërkuara nga unioni, kryesisht për sigurinë ushqimore thotë se janë të forta, ndaj fermerët duhet të jenë të përgatitur në të kundërt mund të rrezikojnë të përballen me faliment.

“Duhet të vrapojmë sepse kjo historia e Bashkimit Europian për fermerët është ose bekim ose mallkim. Nëse ata që do jenë gati për ta përballuar atë situatë do jenë të bekuar sepse do kenë shumë më tepër mundësi. Ata që s’do jenë gati do ta kenë të pamundur të mbijetojnë, do mbyllen, sepse nuk do përballojnë dot kërkesat e tregut europian, siguria ushqimore, analizat”, theksoi Rama.

Duke sjellë si shembull problematikat me thertoret, Rama, thekson rëndësinë e krijimit të sipërmarrjeve.

“Dhe siç kemi kaluar nga thertoret te kthesa e Kamzës që ishte një batërdi e madhe, nga shportat dhe nga tezgat nëpër rrugët e Shqipërisë që ishin si korridore me mollë e me qepë, tek niveli tjetër. Tani duhet të kalojmë në nivel tjetër. Është e domosdoshme, është jetike! Duhet të kalojë në sipërmarrje”, tha Rama.

Rama njoftoi se fund të këtij muaji do të prezantohet programi i ri i qeverisë “Dyfisho Ndërmarrjen tënde”, nga e cila thotë se përfitojnë edhe fermerët.

“Do ofrojë kredi me interesa më të ulëta se kreditë komerciale dhe të garantuara nga qeveria shqiptare për të gjithë ata që duan të rrisin fermën e tyre, që duan të rrisin natyrisht, do të përqendrohemi tek prodhimi, agropërpunimi, dhe agroturizmi dhe kur them tek prodhimi kam parasysh të gjitha ata elementë që i duhen prodhimit, duke filluar nga mekanika tek grumbullimi, e kështu me radhë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë përsëriti kushtin për kryebashkiakët të cilët do kërkojnë të rikandidojnë pranverën e ardhshme në zgjedhjet lokale.

“Po nuk bëtë 10 agroturizma me Paketën e Maleve dhe tre SHBB, as mos hajdeni fare të pretendoni të kandidoni më, sepse bashkitë nuk janë vetëm shtro rrugë, vër drita, pastro plehra dhe në fshat pastro kanale. Bashkitë duhet të jenë aleatët e fermerëve”, përfundoi kryeministri.

Paketa parashikon përjashtime nga tatimet dhe taksat për 10 vitet për 500 përfituesit e parë, përfshirë përjashtimin nga TVSH-ja, tatimi mbi fitimin, taksa e pronës dhe ajo e ndikimit në infrastrukturë.

Klan News

/tvklan.al