Kreu i qeverisë, Edi Rama, në podkastin e tij “Flasim”, më 10 maj, u ndal tek “shënimet e javës” që mban ai çdo të diel.

Temat që Rama u ndal ishin 9 maj, dita e Europës, pasuar nga projekti “EU4Municipalities II”, si dhe Kongresi Botëror i Ligjit e startup-et me inteligjencën artificiale.

Dita e Europës

Fillimisht, kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria është më pranë se kurrë Bashkimit Europian, e se negociatat tashmë kanë avancuar me ritëm të shpejtë.

“Dje, më 9 maj në ditën e Europës, Shqipëria e gjeti veten më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Për herë të parë pas shumë dekadash rruga drejt Bashkimit Europian nuk duket më si një horizont i largët, por si një majë tanimë e kapshme me sy dhe e arritshme në kohën që kemi në dispozicion. Negociatat kanë avancuar me ritëm, kapitujt janë hapur në kohë rekord, marrëdhënia me Bashkimin Europian ndërtohet ditë pas dite me rezultate konkrete dhe tani Komisioni Europian dhe vendet anëtare përmes ambasadorëve të tyre janë në një fazë kyçe të procesit ku diskutojnë raportin e Komisionit, i cili nënvizon se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë dhe është e gatshme të hyjë në fazën e mbylljes së kapitujve duke kaluar përmes piketave të ndërmjetme dhe e gjitha kjo nuk ka ardhur rastësisht ka ardhur me punë, ka ardhur me rezultate, ka ardhur nga një proces transformues që vazhdon në çdo sektor“, tha ai.

9 majin, Rama nuk e cilëson vetëm si festa e Europës, por dhe “momenti kur marrim frymë me një ndjenjë legjitime krenarie dhe ecim përpara për të arritur majën që tanimë është e arritshme më thjeshtë dhe vetëm angazhim, angazhim, angazhim dhe vullnet, vullnet, vullnet”.

Tirana mirëpriti Kongresin Botëror të Ligjit

Sa i përket Kongresit Botëror të Ligjit, Rama e cilësoi si një prej platformave më të rëndësishme ndërkombëtare të kësaj fushe.

“Javën që po lëmë pas, Tirana mirëpriti sesionin hapës, preludin e Kongresit Botëror të Ligjit, një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e shtetit të së drejtës që vjen në Shqipëri dhe për të cilën Shqipëria bëhet mikpritëse. Diçka e paimagjinueshme deri disa vite më parë, sepse kjo nuk është thjesht një ngjarje për turizmin, kjo nuk është thjesht një ngjarje për zhvillimin ekonomik, kjo nuk është thjesht një ngjarje për të mbledhur bashkë ekspertë të një fushe apo të një fushe tjetër për të folur për një sektor, kjo është një ngjarje që përcakton një epokë që përcakton hapjen e një epoke tanimë të konfirmuar nga respekti i platformës së Kongresit Botëror të ligjit që nuk do të vinte kurrë në Shqipërinë e deri disa vite më parë sepse nuk do të kishte asnjë mundësi të fliste dhe të referonte nga ky vend për sundimin e ligjit, përkushtimin e shteteve demokratike ndaj sundimit të ligjit dhe për vullnetin e shumicave qeverisëse për të garantuar paprekshmërinë e sistemit të drejtësisë dhe fakti që Tirana zgjidhet sot për të mbledhur figura kaq të rëndësishme në fushën e së drejtës, juristë, ekspertë, protagonistë të betejës për të drejtën në historinë tonë bashkohore lidhet pikërisht me konfirmimin e këtij transformimi“, tha ai.

Kryeministri shtoi se ndihet krenar për reformën në drejtësi në vend.

“Kështu që është edhe një herë tjetër një arsye për të qenë jo thjesht krenarë për reformën në drejtësi, por të vendosur për ta çuar atë përpara duke i qëndruar besnik atij hapi dhe atij vendimi historik që kemi marrë për të ndarë politikën nga drejtësia, për të ndarë pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ nga pushteti i drejtësisë dhe për t’ia dorëzuar shpatën e drejtësisë zonjës së drejtësisë, e cila ka nevojë në Shqipëri të mbështetet, të ndihmohet, të mirëkuptohet në një proces ku, jo vetëm shpata, por edhe sytë e mbyllur dhe peshorja për të qenë e barabartë dhe e drejtë me të gjithë janë pjesë e kësaj përpjekje të madhe dhe të përbashkët“, tha ai.

Projekti “EU4Municipalities II”

Ndërkohë, vetëm dy ditë më parë, nisi zyrtarisht projekti EU4Municipalities II.

Rama u shpreh se faza e dytë e këtij programi,, do të forcojë bashkitë në procesin e integrimit europian dhe se projekti vjen në “kohën e duhur”.

“Java ka pasur edhe një tjetër moment me rëndësi për t’u shënuar, lançimin e programit “EU4Municipalities II” Europa apo Bashkimi Europian për pushtetin vendor, faza e dytë, një program i mbështetur nga Bashkimi Europian, që lidhet drejtpërdrejtë me modernizimin e qeverisjes vendore, me forcimin e rolit të bashkive në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe me rritjen e kapaciteteve të tyre për t’u bërë më të gatshme që të jenë konkurruese në përpjekjen për të thithur më shumë nesër fonde nga Bashkimi Europian. Ky program bën pikërisht urën ndihmëse për të përcjellë më shumë dije nga Bashkimi Europian drejt bashkive tona, për të rritur vetëdijen e tyre, për rolin që kanë në raport me Bashkimin Europian në një vend që nesër bëhet anëtar i Bashkimit Europian, dhe për këtë arsye unë besoj se ky program është një fakt që vjen në kohën e duhur si pjesë e tërësisë së fakteve që provojnë se Bashkimi Europian është gjithmonë e më pranë, se Shqipëria është gjithmonë e më shumë një vend që shihet si anëtar i Bashkimit Europian, jo në të ardhmen e largët, por në vitet që vijë“, u shpreh Rama.

Startup me inteligjencën artificiale

Sa i përket startup-it me inteligjencën artificiale për vlerësimin e qëndrimeve politike nga mediat në vend, të publikuar nga vetë Rama, ky i fundit u shpreh se nuk ka “media të kapura” nga qeveria. Ai shtoi se “kapja e medias nuk funksionon sepse nuk të çon në fitoren e zemrave dhe mendjeve të njerëzve”.

“Këtë javë postova një analizë të bërë nga një startup djemsh të talentuar shqiptarë me inteligjencën artificiale për të grumbulluar dhe vlerësuar kahjen e qëndrimeve mediatike e artikujve dhe vlerësimeve, komenteve në median tradicionale dhe në median online në raport me politikën dhe e postova sepse ishte një pasqyrë që mua personalisht nuk më surprizon pasi unë dhe ne e dimë shumë mirë realitetin faktik të raportit mes medias dhe qeverisë dhe shumicës qeverisëse që nuk është gjëkundi realiteti i pretenduar nga ulëritësit që nuk dinë ç’të bëjnë tjetër me lirinë e medias, përveçse të ankohen për mungesën e lirisë, por që ishte një pasqyrë sipas meje e vlefshme për t’u ndarë me shumëkënd që do të informohet, me shumëkënd që është i interesuar për fakt dhe me shumëkënd që në të gjitha rastet nuk e humb respektin për faktet dhe nuk hyn në luftë me faktet se kur faktet provojnë një opinion të ndryshëm nga i tij apo i saj, dhe në këtë pasqyrë rezulton qartësisht se nga gjithë tërësia e produkteve të medias në raport me politikën 60% e kohës televizive në Shqipëri në total e merr opozita në kuptimin e qëndrimit anti qeverisë, një pjesë tjetër, analiza faktike e nxjerrë si të balancuar dhe një pjesë shumë të vogël si pro qeverisë. Ndërkohë që po e njëjta situatë pak a shumë është dhe në median online, pra në portalet të cilat anojnë qartësisht nga fronti nga kampi, nga fusha e atyre që janë kundër qeverisë dhe për këtë mua sinqerisht më vjen mirë pasi bëhet e qartë që këtu nuk jemi në një vend mediash të kapura, këtu nuk jemi në një vend ku mbyllen gojët e atyre që flasin, komentojnë, argumentojnë, shkruajnë kundër qeverisë, po këtu jemi në një vend që si rrallëkund tjetër dominon pikërisht e kundërta e atij dominimi që i karakterizon vendet me media të kapura ose me media që i shërbejnë regjimeve ose autokracive elektorale. Kështu që thënë të gjitha këto unë kam një teori shumë të thjeshtë edhe për arsyen pse çdo përpjekje për të kapur mediat është një përpjekje që nuk të çon në fitoren e zemrave dhe të mendjeve të njerëzve dhe nga ana tjetër patjetër që duke i lënë të lirë të gjithë thonë ato që duan, njerëzit e kanë pastaj më të thjeshtë që të bëjnë dallimin mes atyre që bëjnë punët, atyre që përpiqen çdo ditë, atyre që edhe rrëzohen, por rrëzohen në një përpjekje për të ecur përpara dhe atyre që shtriqen nëpër kolltuk dhe ulërijnë nëpër gardhet e pakapërcyeshme të vetëvendosura nga mungesa e vizionit, nga mungesa e programit, mungesa e lidershipit, mungesa e shumëçkaje tjetër që karakterizon sot atë kamp në tërësi dhe nuk flasim vetëm për një parti, flasim për tërësinë“, përfundoi Rama.

/tvklan.al