“The Albanian Files; Freedom and Architecture”, libri që përmbledh shënimet dhe projektet e 60 arkitektëve që kanë punuar ndër vite në Shqipëri, është kthyer në qendër të debatit publik gjatë ditëve të fundit.
Kryeministri, i cili në podcastin e së dielës u shfaq me librin në duar, i cilësoi akuzat si pjesë e një inkuizicioni revolucionar, i lindur sipas tij nga protestat qytetare.
“Një inkuizicion që buron nga fryma e bulevardit, ku protesta e filluar për natyrën ka krijuar shumë degë të tjera dhe një nga degët është pikërisht dega inkuizicionale, e cila përndjek, në thonjëza natyrisht, por jo sepse nuk përndjek, por sepse përndjek në kuptimin me fjalë, me akuza, me shpifje, një nga gjërat dhe një nga grupet më të rëndësishme që i ka ndodhur dhe që i janë qasur Shqipërisë këtyre 30 viteve, po edhe historisë së Shqipërisë.”
Rama mohon që libri të jetë i kontrolluar nga ai, ndërsa thekson se i vetmi kontribut është parathënia e shkruar prej tij. Kryeministri komentoi edhe letrën e arkitektit Reinier de Graaf.
“Ky tekst i vënë aty, i cili në mënyrë autoironike është një letër drejtuar meje, e cila natyrisht është një letër që mua s’më ka ardhur, se s’kishte as pse të më vinte, është shënim në dosjen e arkitektit, ku më thotë: ‘Pse duhet të bëhen zgjedhje? Ti mund të bëhesh mbret dhe të bësh atë që bënin mbretëritë për arkitekturën…’ e të tjerë, e të tjerë. Çështje dilemash dhe problematikash që s’kanë lidhje fare me ndonjë thirrje reale për t’u bërë mbret, është kthyer kokëposhtë, por tregon që, në fakt, libri është tërësisht i lirë, i pakontrolluar.”
Ndërsa bëri publike letrën e një qytetari drejtuar tij, Rama tha se protestës i janë bashkuar edhe ata të cilët nuk kanë gjetur zgjidhje për hallet e tyre dhe pikërisht mbi këtë kategori duhet të reflektohet.
“Ka plot njerëz që nuk i çon në bulevard ndonjë ideologji, apo ndonjë parti, apo ndonjë inat abstrakt. Nuk i çojnë aty as bindjet ambientaliste, që janë fisnike patjetër, as impulset e verbra nacionaliste, as manipulimet apo, më keq akoma sesa manipulimet, misionet e ndryshme për të manipuluar të tjerët, por i çon një hall që, në fund të fundit, kthehet në një zemërim dhe një zemërim që kthehet në një shpërthim, një padrejtësi që e ndjen mbi shpinë. Kjo është legjitime. Ke shumë të drejtë. Askush nuk duhet detyruar t’i shkruajë kryeministrit, sepse institucionet që paguhen për t’i adresuar këto probleme s’e kanë bërë punën e tyre.”
E ndër ta, thotë se është edhe ky qytetar që nuk ka gjetur ende zgjidhje për pallatin e shembur në tërmetin e 2019, edhe për shkak të boshllëkut të krijuar në Bashkinë e Tiranës apo problemeve me administratën.
“Ne nuk kemi kryetar bashkie. Ne kemi një bashki që ‘funksionon me defibrilator, me oksigjen’, me 700 shtytje dhe me 700 ngërçe. Por, përtej bashkisë, ne kemi probleme me administratën, patjetër, dhe kur administrata nuk e mban barrën që i takon, atëherë barra përfundon mbi shpirtin dhe mbi mendjen e qytetarit, e familjes, e njerëzve që duhet të marrin përgjigje.”
Në podcastin “Flasim”, Rama komentoi edhe takimin me presidentin Macron gjatë kësaj jave.
“Çekëm çështjen e mbështetjes së Francës në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe diskutuam mbi hapat e deritanishëm dhe hapat që janë në proces, si dhe zhvillimet që lidhen me të nesërmen e Bashkimit Europian, ku Franca, si një nga vendet që ka një peshë domethënëse në raport me zgjerimin.”
Rama foli edhe për memorandumin me kompaninë italiane “Eni”, për krijimin e kapaciteteve të rezervës kombëtare të furnizimit dhe magazinimit të produkteve të naftës dhe të gazit, si dhe nismën e re të qeverisë për infrastrukturën digjitale, që synon t’i japë fund kabllove të varura në lagje, duke kaluar gradualisht në infrastrukturë nëntokësore.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 