Për rreth 2 orë e 20 minuta ka zgjatur mbledhja e thirrur nga kryeministri Edi Rama me drejtuesit politikë të qarqeve, ministrat e kabinetit qeveritar dhe zëvendësministrat përgjegjës për komunikimin. Në qendër të diskutimeve ka qenë nisma e socialistëve “Prania Besnike”, përmes së cilës deputetët dhe përfaqësuesit e qeverisë dalin në terren për të dëgjuar nga afër problematikat e qytetarëve.

Gjatë mbledhjes, drejtuesit politikë të qarqeve, ministrat dhe zëvendësministrat kanë raportuar mbi shqetësimet dhe kërkesat e mbledhura gjatë takimeve me qytetarët të zhvilluara javën e kaluar.

Sipas asaj që raporton gazetarja e Klan News Greta Bullari, ky proces do të vijojë në mënyrë të rregullt, me raportime pothuajse çdo javë. Problematikat e evidentuara do t’u përcillen më pas ministrive dhe institucioneve përgjegjëse, me qëllim adresimin dhe zgjidhjen e tyre.

Ndërkohë, sot në orën 17:00 deputetët socialistë do të rikthehen në terren në të gjithë vendin për takime me qytetarët. Këtë herë, në takime do të marrin pjesë edhe ministrat, të cilët do të fokusohen te çështjet që lidhen me dikasteret që drejtojnë.

Një tjetër pjesë e diskutimeve ka qenë edhe “Pasqyrë Albania”, platforma e re për komunikimin mes qytetarëve dhe qeverisë. Sipas burimeve, puna për ngritjen e saj ka nisur dhe pritet që në ditët në vijim të bëhen publike më shumë detaje, ndërsa synohet edhe zyrtarizimi i saj përmes një ligji.

Platforma synon të krijojë një mekanizëm përmes të cilit qytetarët do të mund të paraqesin ankesat dhe shqetësimet e tyre dhe të ndjekin ecurinë e tyre hap pas hapi, nga momenti i raportimit deri te trajtimi nga institucionet dhe dhënia e një zgjidhjeje.

Në kuadër të “Pasqyrë Albania” parashikohet gjithashtu krijimi i një hapësire ku do të pasqyrohen vendimmarrjet dhe nismat ligjore të qeverisë.

Sipas burimeve, platforma është aktualisht në proces hartimi dhe pritet të zyrtarizohet në vijim edhe në aspektin ligjor. Formati i saj ngjan me mekanizmat e mëparshëm të bashkëqeverisjes, por mbetet për t’u parë se si do të përcaktohet përfundimisht funksionimi i saj.

/tvklan.al