Kryebashkiakët opozitarë, pavarësisht se partia që përfaqësojnë ka vendosur të mos ketë asnjë bashkëpunim institucional me mazhorancën socialiste, nuk munguan në takimin që kryeministri zhvilloi në godinën qeveritare, pak orë pas protestës së demokratëve.

“Falenderoj në mënyrë të posaçme kryetarët e bashkive që nuk janë të Partisë sonë Socialiste, po janë bashkë me ne, në “partinë e punës”.

Madje veç kryebashkiakut të Pustecit, 3 kryebashkiakët demokratë të Fushë Arrëzit, Mirditës dhe Pukës ishin të vetmit që i adresuan kryeministrit disa kërkesa, por nuk nguruan t’i shprehin dhe falenderime.

“Ky është falënderim i përzemërt. Dhe për pagat pse jo, të cilat u realizuan”, tha Hil Curri, kryebashkiaku i Fushë Arrëzit.

“Kërkesa erdhi nga “partia e punës” ku jemi të gjithë bashkë, atëherë është dhe merita juaj kjo dhe nuk po e zgjas të them që kur ne e japim fjalën e mbajmë se pastaj hyjmë në territore të tjera, që na ndahet “partia e punës” në dysh dhe këtë nuk e duam. Boll kemi parti të ndara në dysh në tresh, në katërsh, këtë “partinë e punës” e duam njësh, socialistë, demokratë, këtu jemi për punë”, tha Rama.

“Puka është e bukur sepse është investuar kohët e fundit në infrastrukturë me Rilindjen Urbane, por qyteti i Pukës ka 11 blloqe pallatesh që janë në shembje e sipër dhe infrastruktura përreth e amortizuar”, u shpreh kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj.

“Një projekt që është tek Fondi i Zhvillimit është në listë, në listën aktuale. Kështu që, kur të konfirmohet plotësisht se e kam parë vetë, do ta marrësh lajmin dhe do fillojë puna atje”, shtoi kryebashkiaku.

Një nga çështjet për të cilat i thirri në takim kryebashkiakët kryeministri, ishte emergjencat civile. Për përmbytjet në Vlorë, Rama tha se nuk ndodhen për shkak të keqmenaxhimit, por tekave të motit që janë kthyer në një shqetësim global.

“Nuk ka infrastrukturë sado ekselente të jetë që të mund të absorbojë goditjen e parë, por ajo që ne nuk mund ta neglizhojmë është dobësia që shfaqet në reagimin tonë në nivelin vendor, qoftë për zjarret, qoftë për përmbytjet”.

Tërhoqi vëmendjen dhe solli disa shembuj pozitiv, por nuk përmendi emrat e bashkive me rekorde negative, sa i takon shfrytëzimit të fondeve për shërbimet sociale.

“Shikon bashki si Kamza që e realizojnë 100% buxhetin. Pse duhet që të kemi bashki të tjera të cilat kanë 3% të buxhetit dhe nuk po ia përmend emrin këtu, kam respekt për drejtuesen e bashkisë, nuk është Durrësi sepse Durrësin nuk duhet të ma prekni, por 3%?”

Legalizimet dhe platforma e bashkëqeverisjes ishin të tjera çështje për të cilat kërkoi nga kryebashkiakët të mos neglizhohen pasi janë pjesë e detyrave funksione të pushtetit lokal.

Tv Klan