Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të shtunë, më 28 mars, Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave.
Siç raporton gazetarja e Klan News Greta Bullari, mbledhja ka nisur në Pallatin e Brigadave rreth orës 11:10 dhe po zhvillohet me dyer të mbyllura.
Formati i ndjekur është ai i mbledhjes së kaluar, që bën bashkë grupin parlamentar dhe ministrat e kabinetit qeveritar.
Në fokus të kësaj mbledhjeje është strategjia e jetës parlamentare socialiste në vazhdim, me thellim në çështjen priorioritare, atë të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Nisma e re, javën tjetër nis turi “Punët e Shqipërisë”
I pari që ka marrë fjalën ishte kreu socialist Edi Rama.
Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar, u vendos që javën e ardhshme të nisë turi i socialistëve në të gjithë vendin, siç kishte paralajmëruar kryeministri Edi Rama disa javë më parë, që do niste një dialog me qytetart shqiptarë.
Gazetarja e Klan News Greta Bullari raporton se ky tur do quhet “Punët e Shqipërisë“, ku ministrat, deputetët, kryebashkiakët do të dalin në terren për takime me qytetarët në të gjithë vendin. Turi do të vijojë deri në muajin qershor, konkretisht deri në datën 12, që përkon me 35-vjetorin e Partisë Socialiste.
Dy raportime, Kadastra dhe Reforma Territoriale “nën lupë”
Pas fjalimit të kryeministrit, nisën raportimet nga eksponentë të lartë socialistë. Kështu, e para raportoi drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli.
Gazetarja e Tv Klan Elia Zotka raporton se Goxhobelli bëri një analizë të detajuar mbi reformën që ka nisur ky institucion.
“Ajo bëri një analizë të të gjithë reformës që po bëhet në këtë institucion dhe po flet me shifra. Mbi të gjitha për aplikimet në çdo qark. Pjesë e kësaj reforme, është dhe centralizimi i të gjitha degëve të Kadastrës në Tiranë. Ka filluar nga Vlora dhe mesa duket do të vazhdojë edhe me qarqet e tjera.”, tha gazetarja.
Në këtë pikë të mbledhjes ka patur edhe diskutime mbi shqetësimet që kanë patur qytetarët në qarqe të ndryshme sa i takon çështjeve të lidhura me Kadastrën.
Pas Goxhobellit, radha për të raportuar i erdhi bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku.
Gazetarja Greta Bullari raporton për Klan News se Mazniku po bën prezantimin e tij përpara grupit parlamentar të PS-së, sa i përket punës së bërë deri më tani me Reformën Territoriale.
Mazniku shpjegoi se aktualisht reforma ndodhet në fazën kur është miratuar grupi i ekspertëve dhe kalendari i dëgjesave që do të zhvillohet në të gjithë territorin.
Këtë reformë socialistët duken të vendosur ta mbarojnë deri në fund të këtij sesioni parlamentar, pra brenda 31 korrikut, sepse vetëm në këtë mënyrë do të jetë funksionale për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.
/tvklan.al












Botërori 2026 
