Gjatë vizitës në Jeruzalem, kryeministri Edi Rama iu adresua Konferencës Ndërkombëtare për Luftën Kundër Antisemitizmit, e cila përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Rama theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, duke theksuar se ky qëndrim buron nga vlerat më të thella humane dhe historike të popullit shqiptar.

“Organizatorëve të konferencës dua thjesht t’u drejtoj një kritikë shumë të sjellshme në lidhje me saktësinë e numrit të hebrenjve që u shpëtuan, nga njerëz dhe familje të zakonshme shqiptare. Ky numër arrin në 3 mijë e 700.

Izraeli është bërë brenda kufijve të tij një popullsi prej 10 milionësh, ndaj jam ndjerë thellësisht i gëzuar sepse besoj se çdo jetë e re hebraike, çdo hebre i porsalindur, është një bekim jo vetëm për Izraelin, por për botën”.

Kryeministri përmendi faktin se gjatë Luftës së Dytë Botërore Shqipëria u bë i vetmi vend në Evropë që nuk dorëzoi asnjë hebre.

“Ekziston një histori e thellë që i lidh popujt tanë së bashku; kapitulli më i njohur është sigurisht Holokausti, kur Shqipëria u bë i vetmi vend në Evropë që nuk dorëzoi asnjë hebre dhe i vetmi ku popullsia hebraike u shtua gjatë luftës.

Ndërsa hebrenjtë po iknin nga vende të tjera për t’i shpëtuar vdekjes, shumë erdhën në Shqipëri për të shpëtuar jetën e tyre nën premtimin e Besës, fjala jonë e shenjtë e nderit, një premtim që mbrohet nga vetë jeta“.

Kujtoi faktin se Vlora në Mesjetë kishte një popullsi me shumicë hebrej.

“Për shekuj me radhë, madhësia e tokës sonë nuk e kufizoi kurrë shtrirjen e solidaritetit tonë ndaj hebrenjve. Vlora, qyteti ynë më i madh mesjetar, kishte një popullsi me shumicë hebreje. Ndërsa hebrenjtë po iknin nga Perëndimi për shkak të valëve të persekutimeve, ata gjithmonë gjetën një strehë të sigurt në Shqipëri, dhe nuk ishte një strategji, ishte instinkt, ishte një refleks moral“.

Përmendi faktin që Shqipëria mbështet paqen përmes dialogut.

“Ne jetojmë në një vend që është etiketuar shumë herë si fuçia e barutit të Evropës, por ne besojmë në paqe dhe punojmë për të. Megjithatë, ka diçka shumë të qartë për ne: paqja nuk do të thotë dhe nuk mund të nënkuptojë neutralitet ndaj terrorizmit.

Terrorizmi nuk është një aktivitet lufte për liri, nuk është një partner negociues, është thjesht një krim kundër njerëzimit. Kështu që masakra e 7 tetorit nuk ishte rezistencë, ishte vrasje masive.

Është vërtet zemërthyese, është një çmenduri të turbullosh më shumë vija ndarëse ose të legjitimosh terrorin në emër të proporcionalitetit.

Terrori në Gaza funksionon si një thikë me dy tehe: një teh është në fytin e popullit hebre, tehu tjetër është në fytin e popullit palestinez, dhe për këtë arsye nuk mund të ketë paqe pa udhëheqjen palestineze të përkushtuar për jetën e palestinezëve, jo për vdekjen e izraelitëve, në këtë luftë të përbashkët kundër radikalizmit, antisemitizmit dhe terrorit.

Gjyshërit tanë na mësuan se të jesh musliman dhe të strehosh hebrenjtë është një nder, të jesh i krishterë dhe ta bësh këtë është një detyrë. Të jesh njeri do të thotë të mbrosh njerëzit e tjerë me çdo kusht, pavarësisht fesë së tyre dhe gjuhës së tyre”.

U ndal tek strehimi në vendin tonë i opozitës iraniane.

“Mishnah na mëson se në një vend ku nuk ka burra, përpiqu të jesh burrë. E njëjta frymë e udhëhoqi Shqipërinë kur u ofruam strehim disidentëve iranianë të shënjestruar nga vrasësit e Teheranit. Kjo frymë na udhëhoqi përsëri kur mirëpritëm familjet afgane të braktisura nga koalicioni pas rënies së Kabulit.

Shqipëria ka dalë nga diktatura dhe izolimi për të gjetur zërin e saj në skenën ndërkombëtare, por ambicia jonë nuk është pushteti. Ne kërkojmë paqe përmes dialogut dhe sigurisë, përmes bashkëpunimit dhe dinjitetit, përmes shembullit. Siç na kujton tradita hebraike, nën qiellin e madh jemi të gjithë në të njëjtën anë”.

Klan News

/tvklan.al