Rama

Krejtësisht në habitatin e tij, Kryeministri Edi Rama e ka nisur vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me pjesëmarrjen në Forumin Botëror të Lidreshipit që si temë këte vit kishte “Arti dhe Politika”.

Rama në fjalën e tij i ka treguar pjesëmarrësve mbi të shkuarën e tij si artist që vazhdon të ngrejë krye edhe tani që është në politik.

Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë: “Unë kam qenë artist, akoma më pëlqen të pikturoj dhe të vizatoj, vetëm se kam më pak kohë. Por edhe në politikë, përpiqem gjithnjë të pikturoj me ngjyra, të vizualizoj si e duam vendin që të bëhet, të ndjej si e duam që të ndryshojë në një hap me botën rreth nesh. Me këtë nuk dua të them se të gjithë kryeministrat duhet të jenë artistë, përkundrazi, është mirë që politika të mbledhë njerëz me background-e të ndryshme. Besoj se aftësitë që kemi në një fushë mund të na ndihmojnë ose të na pengojnë në një tjetër, edhe pse pavarësisht gjithçkaje artisti brenda meje nuk rri asnjëherë i qetë”.

Piktura e tij ende e pa hedhur në telajo, Kryeministri thotë që është Ballkani i ri.

Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë: “Tabloja që unë kam të një Ballkani të ri, një Ballkan në paqe dhe i begatë, i cili të jetë me siguri një hapësirë që s’ka ekzistuar kurrë më parë, nënkupton dialog të madh që përfshin partnerë origjinalë, ose kundërpalë siç është arti, dhe zgjedhjet shumëfishohen, vizioni zgjerohet dhe hapja në korridoret e politikës bëhet më e thellë se kurrë. Kur bëj një pikturë a vizatoj diçka në axhendën time, vjen një pikë kur përfundon. Puna ka mbaruar. Ndërkohë, në politikë tabloja nuk përfundon kurrë tërësisht. Në çdo hap përballemi me zgjedhje që duhet të bëjmë, ashtu sikurse artisti. Kjo apo ajo ngjyrë, ky apo ai penel”.

Gjate vizitës së tij në SHBA, Kryeministri do të jetë i ftuar në Samitin Ndërkombëtar Antiekstremizëm thirrur nga Presidenti Obama ku Rama do të ketë dhe një fjalim në emër të krerëve të Ballkanit ndërkohë që do të marrë pjesë dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB.

Tv Klan