“Dora e shtrirë për opozitën për reformën zgjedhore”

Në të parin reagim për raportin e OSBE/ODHIR për zgjedhjet e 30 Qershorit, Kryeministri Rama e vlerëson atë si certifikim të një procesi legjitim. Në rrjetet sociale, shefi i shumicës që hyri e vetme në këto zgjedhje në pjesën më të madhe të Bashkive, i cilëson si furtunë në gotë qëndrimet e opozitës për raportin.

“Përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin,e në radhë të parë për opozitën joparlamentare! Raporti ka çertifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet”.

Si hapin e radhës, Kryeministri sheh kryerjen e reformës zgjedhore dhe në këtë pikë mban dorën e shtrirë për të bërë së bashku me opozitën ndryshimet e rekomanduara.

“Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore. Prandaj le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë dialogu e bashkëpunimi, zgjedhjet e ardhshme. Dora jonë është e shtrirë për të gjithë. Çdo vonesë e kotë sot e bën më të vështirë arritjen e një rezultati domethënës, në adresimin e problematikës së evidentuar përmes rekomandimeve. Ne presim, po koha nuk pret qytetarët tanë pa dallim, presin prej nesh të hapim një faqe të re dialogu e bashkëpunimi për Shqipërinë”.

Për përmbylljen e reformës zgjedhore, raporti nënvizon nevojën për nisjen e dialogut mes palëve politike. Mazhoranca dhe opozita parlamentare kanë ngritur një komision të posaçëm dhe kanë lënë hapur mundësinë e pjesëmarrjes së opozitës jashtë Parlamentit.

Tv Klan