“Shqiptarët i besuan Edi Ramës një mandat të katërt në krye të Qeverisë”. Kështu shkruan gazeta e njohur italiane “Corriere della Sera”, për të cilën kryesocialisti ka dhënë edhe  reagimin e parë për rezultatin e këtyre zgjedhjeve, në një intervistë nga selia e partisë.

“Ai fiton midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe midis bashkëkombësve të tij jashtë vendit, mban Qendër-Jug dhe pothuajse pushton Veriun, bastionin e opozitës”, shkruhet më tej në këtë artikull.

I pyetur nëse ai e priste një fitore kaq të thellë pas 12 vitesh në qeverisje, Rama shprehet: “Sinqerisht po, sepse punuam shumë për të arritur tek kjo fitore, duke folur me fakte, duke treguar qartë rrugën kryesore për Shqipërinë e fëmijëve tanë, duke i besuar dhe duke u fokusuar rinovimit të brezave në listat tona të kandidatëve dhe ku kemi promovuar edhe shumë gra e vajza. Po ashtu, duke organizuar partinë për një lojë të madhe skuadre në terren”.

Kryesocialisti jep edhe arsyet pse shqiptarët e votuan.

“Ne e ndryshuam Shqipërinë me një vizion të qartë dhe këmbëngulje të madhe. Njerëzit nuk janë budallenj, siç mendojnë shumë politikanë, dhe ata dinë të bëjnë dallimin midis atyre që punojnë seriozisht për të ardhmen e vendit dhe atyre që kufizohen në retorikën e disfatizmit. Edhe kemi gabuar, por kemi kërkuar falje. Por ne kurrë nuk u ndalëm, kurrë nuk u fshehëm, kurrë nuk u dorëzuam përballë vështirësive dhe ngritëm një komb të tërë duke e bërë atë krenar për emrin e tij”, është shprehur Kryeministri Rama.

Rama nënvizon se “PS nuk fiton sepse humbet opozita, por sepse shqiptarët besojnë në rrugën që po ndjekim së bashku”.

I emocionuar shprehet për votën e diasporës ndaj PS.

Më prek, sinqerisht. Ata që jetojnë jashtë vendit kanë një vizion më të gjerë dhe më kërkues. Nuk votojnë nga nostalgjia, por për shkak të vlerësimit të situatës. Është një votë besimi nga ata që u larguan nga vendi, por nuk janë larguar nga Shqipëria. Dhe nëse diaspora na beson, kjo do të thotë se ne po transmetojmë një imazh që i bën ata krenarë”, është shprehur Rama.

Flet edhe për objektivat që ka në mandatin e katërt.

“Ne do të përfundojmë kantierin e madh evropian të Shqipërisë. Qëllimi ynë është të përfundojmë negociatat e pranimit deri në vitin 2027. Ndërkohë, paralelisht ne do të vazhdojmë të modernizojmë vendin, duke forcuar sundimin e ligjit dhe ekonominë, duke mbështetur familjet dhe duke e bërë transformimin 360 gradë të vendit të pakthyeshëm. Çdo ditë, me përulësi dhe vendosmëri”, thotë Kryeministri Rama.

Një përgjigje e ka edhe për skeptikët mbi afatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE brenda vitit 2030.

“Ekspertët shpesh kanë të drejtë, por ata kurrë nuk e kanë ndryshuar rrjedhën e historisë. Këtë e ndryshojnë popujt  dhe lidershipet e vendosura. Unë nuk bëj parashikime: Unë flas për objektiva dhe në këtë rast për një objektiv të përbashkët me Brukselin. Dhe Shqipëria, nëse vazhdon të bëjë detyrat e shtëpisë siç ka bërë deri më tani, do të jetë plotësisht gati në vitin 2030”, është shprehur Rama.

Rama ka marrë edhe mesazhin e urimit nga kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, e cila i ka shkruar mes të tjerash, “Nga motra për vëllain”.

Klan News