Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në konferencën për mediat me ambasadoren e BE-së në Tiranë, Sofia Moreira De Sousa deklaroi se Shqipëria është ndër vendet me përparimin më të madh drejt Bashkimit Europian. Shtoi se shtet-bërja europiane është një objektiv kombëtar.
“Shqipëria është ndër nga katër vendet më të përparuara drejt BE-së. Komisioni Europian kërkon që negociatat duhet të mbyllen brenda vitit 2027. Udhërrëfyesi nuk përcakton dot një datë anëtarësimi, por na tregon konkretisht kilometrin e fundit të rrugës për të përmbushur këtë objektiv kombëtar dhe historik. Këtë objektiv duhet ta kuptojë qeveria, parlamenti, drejtësia e institucionet në tërësi. Ky objektiv historik nuk duhet vendosur në dyshim, për mustaqet e asnjë Çeloje.
Mundësia për të mbyllur negociatat është historike. Në thelb të procesit është shtet-bërja europiane e Shqiëprisë. Ky është objektivi, që ne dëshirojmë të arrijmë, që jeta në Shqipëri të zhvillohet njësoj si në Europë. Çdokush duhet të dijë se bëhet fjalë për përmirësimin e standardeve të cilësisë së çdo qytetari. Raporti i progresit është një dëftesë objektive për reformat që kemi ndërmarrë”, tha Rama.
Përmendi edhe shqetësimet që nënvizohen në raport. Kryeministri vlerësoi se shqetësimet duhet të shikohen me shumë kujdes dhe se ato duhet që të marrin përgjigje. Rama theksoi se qeveria e di mjaft mirë që Shqipëria, siç ka bërë progrese, ka dhe shumë probleme, të cilat duhet që të marrin zgjidhjen që meritojnë.
“Në raport ngrihen disa shqetësime. Aty vihet plaga tek dhuna, por thuhet se dialogu nënvizohet si rruga, ku duhet që të gjithë të angazhohemi seriozisht. Asnjë konstatim i raportit të progresit nuk mund të anashkalohet. E drejta për protestë duhet garantuar gjithmonë, dhuna duhet ndëshkuar ligjërisht e moralisht. Dialogu është jetik për bashkëjetesën demokratike dhe ne, shumica qeverisëse kemi përgjegjësinë për ta mundësuar atë.
Nuk po flas vetëm për anën e shndritshme të raportit, por edhe për anën me hije të kësaj medaljeje. Shqipëria ka bërë përparim të madh, por vendi përballet me probleme jo të vogla. Problemet nuk duhet që të na pengojnë që të shikojmë përpara, që të përmirësojmë vetveten, për të qenë më mirë nga se ishim dje. Anëtarësimi në Bashkimin Europian është një mision i përbashkët kombëtar”, u shpreh Rama.
/tvklan.al












Botërori 2026 