Lexues të tvklan.al, më poshtë gjeni videon e PLOTË të konferencës së përbashkët:
“Do ndezim një dritare dialogu”, çfarë po paralajmëron kryeministri Rama
Kreu i qeverisë theksoi se nga nesër do të hapet një dritare të re dialogu, për të gjithë ata që duan të ndërveprojnë me të dhe qeverinë.
“Nesër do të ndezim një tjetër dritare dialogu, që u ofrohet atyre që duan të ndërveprojnë me mua dhe qeverinë. Studentë që kërcënohen nga pseudo-studentë që shfaqen në dyert e auditorëve dhe u çojnë mesazhe të ndryshme atyre që mendojnë ndryshe.
Tre grupe studentësh janë kthyer mbrapsht me dhunë, online dhe offline, në përpjekjet e tyre për të ardhur në takim me mua, pa kamera, pa foto, thjesht për të biseduar. Tre grupe studentësh, me emra dhe mbiemra. Pastaj të bullizuar në ekstrem”, deklaroi Rama (Lexoni më shumë…)
Rama lë mënjanë çështjen “Veliaj”: Ne kemi një objektiv historik…
Kryeministri Edi Rama u pyet sot edhe për pretendimet e kryebashkiakut Erion Veliaj. Ai u shpreh se qeveria është e përqendruar te procesi i integrimit europian, ndërsa çështjet e tjera i cilësoi si të parëndësishme.
“Qeveria është në krye të detyrës dhe punon çdo ditë për objektivin historik të bashkimit të vendit me Europën. Të tjerat janë si zhurmat e makinave që kalojnë në bulevard. Aq të rëndësishme janë për mua sa ato zhurma”, deklaroi Rama.
Ambasadorja e BE-së: Të gjithë palët të bëjnë përpjekje për dialog, pakënaqësitë të trajtohen me mënyra demokratike
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, u bëri thirrje të gjitha palëve politike që të bëjnë një përpjekje të vërtetë për të nisur dialogun dhe për të luftuar polarizimin në vend.
Gjatë fjalës së saj, ajo theksoi se pakënaqësitë e qytetarëve duhet të dëgjohen dhe të trajtohen përmes mekanizmave demokratikë, duke përjashtuar dhunën si mënyrë reagimi.
“Të gjitha palët duhet të bëjnë një përpjekje të vërtetë për ta filluar dialogun dhe ne duhet ta luftojmë këtë polarizim. Kjo bëhet vetëm në mënyrë demokratike dhe duke gjetur mënyrat e duhura, në mënyrë që pakënaqësitë e qytetarëve të dëgjohen dhe të trajtohen, jo me anën e dhunës, por në një mënyrë që e gjithë shoqëria civile dhe institucionet ta trajtojnë këtë polarizim”, tha ambasadorja.
Ajo nënvizoi se protestat janë një fenomen i pranishëm edhe në vendet europiane, duke theksuar se rëndësi ka identifikimi i shqetësimeve të qytetarëve dhe gjetja e zgjidhjeve demokratike për adresimin e tyre.
“Protestat i kemi edhe në Evropë, në shumë shtete. E rëndësishme është që t’i kuptojmë cilat janë pakënaqësitë e qytetarëve dhe të gjejmë mënyrat demokratike për t’i trajtuar ato”, përfundoi Moreira de Sousa.
A rrezikon Shqipëria trazira si në Serbi? Rama: Ky është skenari ogurzi i atyre që…
Një tjetër pyetje e ngritur nga gazetarët ishte dhe nëse situata në Shqipëri mund të përshkallëzohet si në Serbi nga protestat.
Kryeministri Rama deklaroi se vendi ynë nuk ka asnjë ngjashmëri me shtetin serb. Shtoi se kjo është teza, e atyre që kanë skenarë të tjerë për Shqipërinë.
“Rasti i Shqipërisë nuk ka asnjë lloj lidhjeje me Serbinë. Kjo është teza e atyre që duan skenare të tjerë për Shqipërinë. Në lidhje me protestat, ne jemi deklaruar se jemi kundër dhunës në tubime dhe jemi pro protestave paqësore.
Ne kemi bërë transparente të gjitha projektet, kemi prezantuar edhe programe, për ulje të çmimeve dhe taksave. Ekonomia jonë vetëm sa vjen e rritet dhe na bën të mundur që të ndërmarrim disa reforma për vendin. Tani që kemi rritje ekonomike, kemi mundësi për të shpërndarë më shumë. Dorëheqja e kryeministrit të zgjedhur demokratikisht nuk jepet nga revolta e disa personave, që nuk kanë asnjë ide, që t’ja vlejë. Jam këtu për Shqipërinë europiane.
Dhe përfshirja e aktorëve të huaj në protestë është reale. Unë nuk kam thënë kurrë që protestat i organizoi Irani, por kam thënë se duart e regjimit kriminal iranian janë në shesh. Ka nga ata që nuk duan që Shqipëria të fokusohet në rrugën drejt BE-së, por duan që ne të merremi me historitë e panumërta që nxiten përditë dhe komentohen përditë”, deklaroi Rama.
Rama: Shqipëria ndër vendet me përparimin më të madh drejt BE-së. Shtet-bërja europiane, objektiv kombëtar
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në konferencën për mediat me ambasadoren e BE-së në Tiranë, Sofia Moreira De Sousa deklaroi se Shqipëria është ndër vendet me përparimin më të madh drejt Bashkimit Europian.
Shtoi se shtet-bërja europiane është një objektiv kombëtar. Lexo më shumë
Ambasadorja e BE-së: Shqipëria ka bërë hapa përpara, por duhet më shumë punë
Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugëtimin drejt integrimit europian, duke theksuar se korrupsioni mbetet një sfidë që kërkon përpjekje të vazhdueshme për parandalimin e tij.
Ajo u ndal edhe te protestat, duke theksuar se dhuna nuk ka vend në jetën demokratike dhe se pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes dialogut, ndërsa BE-ja do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në çdo hap të këtij rrugëtimi.
“Mesazhi i këtij raporti është i thjeshtë: Shqipëria ka ecur përpara. Zoti kryeministër, ky mesazh pasqyron punën e vërtetë e të fortë të qeverisë dhe ekipit tuaj negociator. Vijimi i kësaj rruge kërkon përpjekje të vazhdueshme. Korrupsioni mbetet një sfidë reale. Të punohet më tej për parandalimin e korrupsionit.
“Protesta janë pjesë e jetës demokratike, por në këtë jetë demokratike, dhuna nuk ka vend dhe çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të mbetet proporcional dhe në përputhje me ligjin, pro e përsëris dhuna nuk ka vend në jetën demokratike të vendit. Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes një dialogu të mirëfilltë. BE do vijojë të mbështesë çdo hap të Shqipërisë në këtë rrugëtim“, tha ajo.
Ambasadorja e BE-së dorëzon progres-raportin te Rama: Çfarë e pret Shqipërinë deri në 2027-ën? (Mesazhet)

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka pritur në ambientet e kryeministrisë ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa.
Ata po mbajnë një konferencë për mediat, pas dorëzimit të progres-raportit vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Komisioni vlerësoi reformat e ndërmarra nga Shqipëria, ndërsa inkurajoi të vazhdojë ritmin e tyre për mbylljen e kapitujve negociues brenda vitit 2027.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi raportin e fundit të Komisionit Europian si më të mirin që Shqipëria ka marrë ndonjëherë, duke theksuar se rrëfimi i integrimit europian po kalon nga pritshmëritë te hapat konkretë që duhen ndërmarrë.
Sipas tij, Shqipëria ka hyrë në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim në BE, por rrugëtimi mbetet i gjatë dhe kërkon përmbushjen e çdo hapi një nga një.
““Mirëserdhët sot, me Raportin më të mirë të Progresit që Shqipëria ka marrë në dorë, ndonjëherë, çka tregon edhe këmbën tuaj të mbarë në misionin e përfaqësimit të Bashkimit Europian në Shqipëri. Për një kohë të gjatë rrëfimi i rrugëtimit europian të Shqipërisë është përcaktuar nga çfarë ne prisnim të ndodhte. Statusi i kandidatit, “po, jo, kur”; hapja e negociatave, “po, jo kur”; miratimi i piketave të ndërmjetme, “po, jo, kur”… Sot, ky raport i publikuar dje nga Komisioni Europian përcakton një rrëfim të ri, jo mbi atë që presim të ndodhë, por mbi hapat që duhet të hedhim për ta kryer këtë rrugëtim. E thënë ndryshe fati europian i Shqipërisë është sot i gjithi në duart tona! Dhe besoj se ky është lajmi kryesor i raportit. Shqipëria po hyn në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Natyrisht, kujdes, ky kilometër i fundit ka njëmijë metra të tjerë për të përshkuar dhe në çdo metër ka njëqind centimetra për të kapërcyer, një e nga një, duke harmonizuar të gjitha lëvizjet e organizimit të shtetit tonë në funksion të pikëmbërritjes historike. Raporti tregon se krahasuar me një vit më parë, niveli i gatishmërisë së Shqipërisë është rritur dukshëm në të paktën 20 kapituj negociatash. Evidenton një përparim të rëndësishëm në një sërë fushash nga ekonomia dhe transformimi digjital, tek energjia, arsimi dhe përafrimi legjislacionit me standardet evropiane. Komisioni Europian vlerëson gjithashtu, një progres të mirë në funksionimin e sistemit gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit, sikundër nënvizon faktin se SPAK ka vazhduar të dëshmojë pavarësi dhe të japë rezultate në misionin e tij”., tha Rama












Botërori 2026 