Shpërblim kush denoncon punën në të zezë

Kush punon në të zezë dhe pranon të denoncojë punëdhënësin e tij, që nuk e ka regjistruar në sistemin tatimor, do të përfitojë një shpërblim. Kjo është zgjidhja që kryeministri Rama ka ofruar për këdo që ka punuar në të zezë gjatë kësaj periudhe.

Të gjithë ata që do të përfitojnë nga zgjerimi i paketës financiare do të mund të tërheqin në llogarinë e tyre pagesën prej 40 mijë lekësh.

Kryeministri shpjegon edhe arsyen përse ka patur disa vonesa në shpërndarjen e pagesave për përfituesit nga paketa e parë financiare.

Rama bën të qartë se nuk ka asnjë shtyrje të pagesave të sigurimeve.

Ndërkohë që u ndryshua fasha orare për lëvizjen dhe shërbimet jetike, kryeministri Rama thotë se një lehtësim do të ketë dhe për marrjen e autorizimeve për makina, që tashmë do të merret përmes një aplikimi më të lehtë.

Kryeministri shpjegon se lehtësimet për hapjen e bizneseve, që aktualisht janë të detyruara të mos punojnë, do të jetë graduale në varësi të shifrave të përhapjes së Covid-19 dhe se baret dhe restorantet do të jenë në fundin e kësaj liste.

Tv Klan