Bushati: Shkarkimet në masë nuk janë zgjidhje

I mblodhi në selinë e Partisë Socialiste dhe në një mbledhje që zgjati pak minuta, Edi Rama ju komunikoi drejtorëve rajonalë të agjencive dhe drejtorive të Shkodrës, pakënaqësinë për punën e tyre. Ai ju ka kërkuar të japin dorëheqjen.

Kundër këtij vendimi të Ramës është pozicionuar ish-drejtuesi politik i këtij qarku, Ditmir Bushati. Ai mendon se shkarkimet në masë nuk janë zgjidhje për situatën në Shkodër, që sipas tij, janë shumë të rënda dhe të mbartura prej vitesh. Ai thotë se zgjidhja është reformimi dhe jo prerja e kokave.

Të gjithë pakënaqësinë e tij, Bushati e ka përmbledhur në një letër drejtuar Kryesisë, ku rezerva ka shprehur dhe për personat që përzgjidhen për të drejtuar strukturat. Pa përmendur emra, ai akuzon që në Partinë Socialiste po riafrohen emra për të cilët SHBA i kanë renditur në listën e personave të padëshiruar.

Por ndryshe nga Bushati mendon Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla, që thotë se situata e krijuar në Shkodër nuk është përgjegjësi kolektive e mazhorancës, por e emrave të përveçëm, duke ju referuar Valdrin Pjetrit që fshehu dënimin e tij në formularin e Dekriminalizimit.

Pjesën më të madhe të vëmendjes në mbledhje e ka marrë diskutimi pikërisht për qarkun e Shkodrës dhe zgjedhjet për strukturat e reja drejtuese në këtë degë, si pjesë e procesit zgjedhor ku do të futet Partia Socialiste prej Shtatorit.

Tv Klan