Kryeministri shqiptar Edi Rama ka uruar sot në 17 korrik Serhii Koretskyi-n për zgjedhjen e këtij të fundit në krye të qeverisë së Kievit.
Rama shprehet se Koretskyi i bashkohet Zelenskyt në udhëheqjen e Ukrainës, në një moment mjaft të vështirë për vendin.
Kryeministri i Shqipërisë thekson se Tirana zyrtare qëndron e palëkundur përkrah presidentit ukrainas Volodymir Zelensky, qeverisë e popullit ukrainas, në luftën e tyre për liri, sovranitet dhe paqe të qëndrueshme.
Postimi i kryeministrit Edi Rama:
Urime Kryeministrit Serhii Koretskyi për emërimin e tij nga Verkhovna Rada e Ukrainës.
I uroj suksese teksa i bashkohet Presidentit Volodymyr Zelenskyy në udhëheqjen e Ukrainës gjatë një prej kapitujve më të vështirë të historisë së saj, me guxim, qëndresë dhe vendosmëri.
Shqipëria qëndron e palëkundur përkrah Presidentit Zelenskyy, Qeverisë së Ukrainës dhe popullit ukrainas në luftën e tyre për liri, sovranitet dhe një paqe të drejtë e të qëndrueshme.
Congratulations to Prime Minister Serhii Koretskyi on his appointment by the Verkhovna Rada of Ukraine.
— Edi Rama (@ediramaal) July 17, 2026
I wish him every success as he joins President Volodymyr Zelenskyy in leading Ukraine through one of the most difficult chapters in its history, with courage, resilience, and…
Kush është kryeministri i ri i Ukrainës
Serhii Koretskyi është zgjedhur si kryeministri i ri i Ukrainës nga Verkhovna Rada. Në favor të tij votuan 289 deputetë. Para hyrjes në politikë, Koretskyi ka pasur një karrierë të gjatë në biznes. Ai ka drejtuar më parë Naftogaz Ukraine, kompaninë më të madhe të naftës dhe gazit në Ukrainë, si dhe Ukrnafta, prodhuesin më të madh të naftës në vend.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka përcaktuar disa prioritete kryesore për qeverinë e re: përgatitjen e vendit për dimër, mbrojtjen e infrastrukturës energjetike dhe të karburanteve, stabilizimin e ekonomisë dhe menaxhimin efektiv të ndihmës ndërkombëtare. Autoritetet ukrainase presin që dimri i ardhshëm të jetë më i vështiri gjatë gjithë luftës.
Duke folur në parlament para emërimit, Koretskyi tha se prioritetet e qeverisë do të jenë furnizimi i plotë i forcave të mbrojtjes; rritja e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes; mbështetja sociale për qytetarët; përgatitja për sezonin e ngrohjes; mbështetja e bizneseve dhe stabiliteti ekonomik; forcimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë etj.
Rruga profesionale e Koretskyit është e pazakontë për politikën ukrainase. Ai nuk erdhi nga strukturat partiake apo institucionet shtetërore, por nga bota e biznesit, ku kaloi më shumë se 20 vjet duke ndërtuar kompani, përmirësuar procese dhe menaxhuar ekipe të mëdha.
Sipas burimeve qeveritare, arsyeja kryesore se përse presidenti e konsideroi për postin e kryeministrit ishte reputacioni i tij si administrator i aftë në situata krize.
Në nëntor 2022, Koretskyi mori drejtimin e dy kompanive strategjike, Ukrnafta dhe Ukrtatnafta, pasi shteti mori kontrollin e tyre nga biznesmeni Ihor Kolomoiskyi.
Nën drejtimin e tij, Ukrnafta kaloi nga vite me humbje financiare në fitime rekord. Kompania rriti prodhimin, zgjeroi rrjetin e pikave të karburantit, modernizoi asetet dhe u bë një nga paguesit më të mëdhenj të taksave mes kompanive shtetërore.
Në pranverën e vitit 2025, Koretskyi u bë drejtor ekzekutiv i Naftogaz-it pas një procesi përzgjedhjeje. Ai e mori kompaninë në një periudhë të vështirë, kur rezervat e gazit ishin në nivele historikisht të ulëta dhe Ukraina kishte probleme me sigurimin e importeve.

Gjatë drejtimit të tij, Naftogaz rriti rezervat e gazit në mbi 13 miliardë metra kub, siguroi rreth 1 miliard dollarë nga burimet e veta dhe mori 1.57 miliardë euro financim nga European Bank for Reconstruction and Development, European Investment Bank dhe bankat shtetërore ukrainase.
Megjithatë, objektivi për rritjen e plotë të prodhimit vendas nuk u arrit, kryesisht për shkak të sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës së prodhimit të gazit.
Një nga vendimet e para të udhëheqjes së re të Naftogaz-it ishte një ristrukturim i gjerë i kompanisë. Pas një auditimi, u eliminuan funksione të dyfishta dhe u rishikua numri i punonjësve. Këto masa shkaktuan reagime të përziera brenda kompanisë, por mbështetësit e Koretskyit argumentojnë se ato ishin të nevojshme për rritjen e efikasitetit.












Botërori 2026 