Në Mekë, falje duke ruajtur distancën sociale

Muaji i Ramazanit nis ndryshe këtë vit në gjithë botën. Numri i besimtarëve myslimanë në xhaminë e madhe të Mekës ishte i kufizuar për shkak të masave për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Siç duket edhe në pamje, distanca sociale ruhej me besimtarët që ndodheshin para dhe prapa por jo anash. Në mënyrë më strikte u ruajt distanca sociale në xhamitë e Pakistanit.

Në të gjitha vendet e botës islame, tradita nuk u thye. Njerëzit u dyndën tregjeve për t’i pasur tryezat plot pas perëndimit të diellit kur përfundon dita e mundimshme e agjërimit.

Në kontrast me vendet me shumicë myslimane të Lindjes së Mesme, Azisë e Afrikës, xhamitë e vendeve perëndimore si kjo në Gjermani e zhvilluan faljen e të premtes, që përkon me nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit, pa asnjë besimtar veç imamit që transmetonte faljen drejtpërdrejtë në rrjetet sociale.

Për shkak të masave strikte për frenimin e përhapjes së koronavirusit, besimtarët myslimanë, ashtu si edhe ata të krishterë më herët gjatë këtij muaji në festën e pashkës, nuk janë lejuar të grumbullohen nëpër objektet e kultit.

Xhamitë qëndruan mbyllur edhe në Jeruzalemin Lindor, një ndër vendet e shenjta të islamit. Muaji i Ramazanit shoqërohet me periudhën e agjërimit, ku besimtarët shmangin ushqimet, pijet, marrëdhëniet seksuale dhe sjelljet e këqija. Agjërimi është një nga pesë shtyllat e fesë islame.  

Tv Klan