Në raportin e sapo botuar Departamenti i  Ekonomisë dhe Çështjeve Financiare në Komisionin Europian që analizon rregullisht performancën e ekonomive europiane për tremujorin e fundit të vitit 2010, e vendos përsëri ekonominë shqiptare në vendin e parë të Europës në një sërë treguesish pozitivë.

 Raporti e rendit atë  në krye të vendeve evropiane, si të vetmen me rritje të madhe ekonomike dhe në periudhën gjatë krizës  botërore dhe pas saj. Ky raport thekson se ekonomia e Shqipërisë ndonëse e vogël është në vrap zhvillimi. Teksa  nënvizon faktin se trendi i  rritjes është akoma negativ ose shumë i ulët në Ballkanin perëndimor, raporti  vlerëson se Shqipëria bën  përjashtim, pasi kapërceu pa rënie ekonomike kohën e krizës botërore.

Papunësia në  përgjithësi thuhet në raport u rrit në shumë vende ose u  përmirësua në një farë mase në shumë pak vende. Theksohet se kudo  u vu re një hendek mes përmirësimit të situatës ekonomike dhe zhvillimeve në tregun e punës me përjashtim të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë ku papunësia u ul dhe pse jo shumë në 6 mujorin e dytë të vitit 2010.

Kriza botërore e rëndon aktivitetin dhe performancën e sektorit financiar  duke ulur kreditimin  edhe në Shqipëri thuhet në raport. Por për këtë vend përmendet fakti se ajo përsëri  mbeti vendi me rritjen më të madhe ekonomike në rajon.

Shqipëria gjithashtu përmendet në hyrje të raportit si vendi që uli në mënyrë të konsiderueshme  deficitin. Në të thuhet se financimet publike u ndikuan rëndë  nga kriza në vitin 2009, por u përmirësuan dukshëm në vitin 2010 në Turqi dhe Shqipëri ku deficiti u zvogëlua me 42% në Turqi dhe 58% në Shqipëri.

Në analizën specifike që i bëhet  ekonomisë shqiptare përmendet si  tregues pozitiv  fakti se korniza ekonomike dhe fiskale afat mesme vuri si tavan  për deficitin 3% për vitin 2012-2014 , rritjen ekonomike 6 %, inflacionin 3% dhe uljet  e lehtë të borxhit publik 57% në vitin 2014.

U  prezantuan masa për zgjerimin  e bazës së taksave. Në Mars agjencia ndërkombëtare e rritjes së kapacitetit  të kreditimit  Standard and Poor’s,  tregoi se Shqipëria qëndroi stabël në renditjen   sovrane  të kreditimit    në sajë të potencialit të fortë  të rritjes  ekonomike dhe politikave të saj, si shina të integrimit evropian.

Në sektorin real  vlerësohet se 3 mujorin e fundit të vitit 2010 rritja reale e GDP arriti në 5.4% nga viti në vit, duke  vazhduar performancën e fortë ekonomike të  regjistruar dhe në 3 mujorin e parë të vitit. Industria mbeti nxitësi  kryesor i rritjes duke  përfshirë dhe rritjen e prodhimit të energjisë elektrike.

Tregtia, restorantet dhe hotelet  vazhduan të përmirësohen në këtë 3 mujor. Përsa i përket  tregut të punës, nënvizohet fakti se  kushtet e tij  u përmirësuan në 3 mujorin e fundit të vitit  2010, në linjë me përshpejtimin e vazhdueshëm të aktiviteteve ekonomike. Nga viti në vit rritja e  punësimit arriti  2%.

Përsa i përket sektorit  të jashtëm deficit i llogarive koherente u ul  22%, ndërsa diferenca  eksport- import u  ngushtua  nga rritja me ritmet më  të shpejta të eksporteve. Eksporti  i mallrave u rrit rreth 63%, përfshirë dhe atë të energjisë elektrike. Po ashtu u rrit dhe eksporti i  mallrave ushqimore, pijeve, tekstileve, këpucëve dhe materialeve të ndërtimit. Tendencë  kjo  pozitive rritëse  dhe në muajin e parë të vitit 2011.

Investimet e huaja direkte gjithashtu u rritën me 17 % si  rezultat i rritjes së investimeve në naftë gaz dhe koncesione  të energjisë. Portofoli i  investimeve shënoi rritje dhe nga nxjerrja e eurobondit prej 300 milion eurosh. Për  sektorin financiar thuhet se depozitat vazhduan të rriten dhe në këtë 3 mujor me 17.6%.

Depozitat  në monedhë  të huaj vazhduan  gjithashtu rekord rritje 16.8% ndaj 9.5% rritje të  atyre në lekë. Shënoi rritje huamarrja dhe huadhënia 8.6% në 3  mujorin e fundit të vitit 2010 dhe 8.8% e 9.4% përkatësisht në Janar dhe Shkurt të 2011-ës.

Përsa u përket zhvillimeve fiskale në  raport vlerësohet se  të ardhurat në buxhet në Janar dhe  Shkurt të 2011 u rritën me 5%, si rezultat dhe i rritjes së të ardhurave nga taskat të cilat  pësuan një rritje prej 8.6%.

Po kështu u rrit dhe hyrja nga TVSH-ja dhe kontributet shoqërore përkatësisht 8% dhe 8.5%. Dhe pse me deficit buxheti e ul këtë  të fundit më shumë nga plani sepse shpenzimet e tij  kanë qenë më të ulëta se të ardhurat, pothuajse gjithë deficiti  u financua nga burime të brendshme./tvklan.al

/tvklan.al