Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja ekonomike e vendit gjatë 2009  ka qenë inkurajuese në kontekstin e një krize që mbërtheu vendet e rajonit dhe më gjerë.

Gjatë raportit vjetor para komisionit të ekonomisë  guvernatori Fullani konstaton, se gjatë 9 mujorit të parë të vitit të kaluar ekonomia shqiptare u rrit me 4.9%  në terma vjetore.

Ardian Fullani: “Ngadalësimi i rritjes së produktit të brendshëm bruto ka reflektuar kontraktimin e aktiviteteve në sektorin e industrisë dhe ndërtimit ndërkohë që vlera e shtuar nga sektori i shërbimeve mbeti kontribuuesi kryesor në rritjen ekonomike. Duke u nisur nga rrethanat e vështira në të cilat u zhvillua aktiviteti ekonomik dhe në krahasim me eksperiencat  e vendeve të rajonit,Ruajtja në termat pozitive e ritmit të rritjes ekonomike është një zhvillim inkurajues.”

Duke analizuar sistemin bankar në vend guvernatori Fullani tha, se pavarësisht ngadalësimit të rritjes së kredidhënies gjatë 2009- ës, kjo në kushtet e një sjellje më  konservatore të bankave,  Shqipëria qëndron më lart se vendet e rajonit në këtë tregues.

Ardian Fullani: “Dhe pse portofoli i huave nuk është rritur me ritmet e viteve të kaluara, ndoshta dhe për arsye të bazës së madhe të përllogaritëse por dhe nga një lloj stepje nga bankat për arsye prudence, përsërit rritja ka qenë e kënaqshme në nivele të larta krahasuar me vendet e tjera të rajonit.”

Rritja e kredisë u mbështet nga kërkesa e bizneseve për të financuar nevojat për likuiditet. Ndërsa portofoli i kredisë për individ njohu tkurrje. Sipas Bankës së Shqipërisë  kredia me probleme në sistem në harkun kohor të një viti u rrit nga 6.64 në 10.48% si pasojë e ngadalësimit të ekonomisë dhe  nënçmimit të kursit të këmbimit./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro

/tvklan.al