“Klodi, si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?”

Ky reagim i ish drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror ndaj gazetares Klodjana Lala, e cila e pyeti në hyrje të SPAK, për lidhjet e saj me biznesmenin Ergys Agazi, u konsiderua nga kryedemokrati Sali Berisha si shantazh ndaj gazetarëve.

“Që ish-shefja e shërbimit, që tani është një kriminele ordinere, dhe jo vetëm ordinere, t’i përgjigjet gazetares në atë mënyrë, së pari dëshmon veten se është një hakmarrëse e verbër. Kjo, në këtë rast përdor postin për të bërë një shantazh ndaj gazetarëve dhe ky është një problem i madh, mbasi kjo do shantazhojë dhe prokurorët dhe gjykatësit”, tha Berisha.

Këtë akt të ish kreut të SHISH e dënoi edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.

“Dua të dënoj me forcë shantazhin publik të drejtores së shërbimit informativ të shteti, ndaj gazetares Klodiana lala. Në fakt është një shantazh që nuk bëhet ndaj saj. Së pari është shantazh që bëhet drejtpërdrejt ndaj Edi Ramës dhe gjithë atyre që do guxojnë të dalin kundër Ramës”, tha Blushi.

Edhe shoqatatat e gazetarëve dënuan deklaratat publike të Hysenit. Rjeti i SafeJornalist shkruan se përdorimi i informacionit të siguruar përmes strukturave të inteligjencës për të frikësuar ose diskredituar një gazetare do të cënonte konfidencialitetin e burimeve dhe raportimin e pavarur.

Edhe Shoqata e Gazetarëve Europian apo Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërise e cilësoi deklaratën të papranueshme, ndërsa theksoi se shantazhet ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohen.

/tvklan.al