Real Madrid siguron të ardhmen e një prej talenteve më premtuese të futbollit europian.

Klubi madrilen ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me Arda Güler deri në vitin 2032, duke konfirmuar se mesfushori turk është një nga emrat ku mbështetet projekti i skuadrës për vitet e ardhshme.

I transferuar në Madrid kur ishte vetëm 18 vjeç, Güler ka kaluar gradualisht nga një talent premtues në një futbollist me peshë në skuadër.

Në katër sezone me fanellën e Realit, 21-vjeçari ka zhvilluar 126 ndeshje dhe ka shënuar 22 gola, katër prej tyre këtë sezon.

Në koleksionin e tij janë edhe pesë trofe, përfshirë Ligën e Kampionëve, La Ligën, Kupën e Botës për Klube dhe dy Superkupat, atë të Europës dhe të Spanjës.

Rrugëtimi i tij nuk ka qenë pa pengesa. Dëmtimet dhe konkurrenca e fortë e kanë detyruar të presë për mundësitë e tij, por Güler ka ditur të shfrytëzojë hapësirat, duke fituar gjithnjë e më shumë besimin e stafit teknik.

Me teknikën, pasimet vizionare dhe aftësinë për të diktuar lojën mes linjave, ai po fiton një rol gjithnjë e më qendror.

Rritja e tij konfirmohet edhe me kombëtaren turke, ku numëron 8 gola ne 38 paraqitje. Një zhvillim që shpjegon pse madrilenët duan ta kenë në qendër të projektit të tyre për vitet e ardhshme.

Klan News

/tvklan.al