“Frymëmarrje” në Gjermani dhe SHBA

24-orëshi i fundit e ka reduktuar sadopak tensionin që kanë krijuar shifrat e errëta të koronavirusit javët e fundit.

Gjermania shënoi mbi 22 mijë e 700 të infektuar dhe 409 vdekje ditore. Bëhet fjalë për më shumë se përgjysmim të numrit të viktimave në një ditë krahasuar me rekordin negativ të shënuar 4 ditë më parë. Që reduktimi i shifrave ditore është shenja e parë efektit të karantinës kombëtare, kjo është ende herët të thuhet megjithatë mundësia ekziston.

Reduktim të shifrave ditore të pandemisë pati edhe në Shtetet e Bashkuara, ashtu si edhe në vende të tjera të Europës. Për të ruajtur të njëjtin trend rënës, edhe Italia i është shtuar listës së vendeve të unionit që vendosin masa ekstreme gjatë festave të fundvitit.

Qeveria e shpalli gjithë vendin zonë të kuqe, çka do të thotë se do të ndalohen udhëtimet mes rajoneve e po ashtu do të qëndrojnë të mbyllura të gjitha aktivitetet jo-thelbësore gjatë periudhës së festave të fundvitit dhe në ditët e para të vitit të ri. Masat synojnë ndalimin e lëvizjes për të shmangur shtimin e infektimeve nga pjesëmarrjet në ceremonitë festive.

Ndërsa në Suedi, masa më e ashpër për këto ditë festive është mbajtja e maskës në disa ambiente publike në periudhën e mbipopullimit. Ky vend shquhet për shifrat e ulëta gjatë pandemisë dhe për mosaplikimin e masave ekstreme.

Tv Klan