Dobësimi i euros po thellohet nga java në javë. Në fillim të vitit 2025, një euro këmbehej me mbi 98 lekë, ndërsa sot vlera e saj ka rënë në 94.48 lekë, afro 4 lekë më pak brenda një viti e gjysmë.
Pas këtij zhvillimi, ekspertët thonë se qëndron hyrja e shtuar e valutës në ekonomi. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, të ardhurat nga turizmi arritën në 1 miliard e 4 milionë euro, rreth 130 milionë euro më shumë se një vit më parë. Në rritje kanë qenë edhe remitancat e emigrantëve, që arritën në 274 milionë euro, si dhe investimet e huaja direkte që u ngjitën në 427 milionë euro.
Treguesit tregojnë se oferta e euros në treg është rritur më shpejt sesa kërkesa për të, duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi kursin e këmbimit. Kjo reflektohet edhe në rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë, të cilat kanë arritur në 7.57 miliardë euro në muajin prill, niveli më i lartë i regjistruar deri tani.
Për qytetarët me kredi në euro dhe për bizneset importuese, zhvlerësimi i monedhës europiane sjell kosto më të ulëta. Por situata mbetet sfiduese për eksportuesit, të cilët konvertojnë të ardhurat e tyre në më pak lekë.
Me sezonin turistik që sapo ka nisur dhe hyrjet e valutës që pritet të shtohen gjatë verës, tregu nuk përjashton mundësinë që euro të testojë së shpejti edhe kufirin e 94 lekëve.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 