Vendimi i administratës së Presidentit Donald Trump për të kufizuar praninë e agjencive kryesore të lajmeve që mbulojnë aktivitetet e kreut të Shtëpisë së Bardhë ka ngjallur reagime.
Pasi Associated Press u hoq nga grupi i gazetarëve që mbulojnë presidentin, Reuters po kritikon politikën e re te administrates dhe po nxjerr në pah rreziqet për lirinë e shtypit në SHBA.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se gazetarët që do të mbulojnë presidentin tani do të zgjidhen nga sekretarja e shtypit, Caroline Levitt.
Ekipi i saj do të përcaktojë kush do të ketë akses në hapësira të tilla si Air Force One dhe Zyra Ovale ku shpesh presidenti bën deklarata e njofton vendimet e tij. Deri më para këtë e vendoste Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, një organizatë e përbërë nga gazetarë që mbulojnë Shtëpinë e Bardhë dhe presidentin.
Për shumë vite, kjo shoqatë ka përfshirë reporterë nga agjenica e lajmeve AP, Reuters dhe Bloomberg.
“Është thelbësore për demokracinë që publiku të ketë akses në lajme të pavarura, të paanshme dhe të sakta rreth qeverisë së tyre. Çdo hap nga qeveria e SHBA për të kufizuar aksesin ndaj presidentit kërcënon atë parim, si për publikun ashtu edhe për median botërore”, thotë një zëdhënës i agjencisë së lajmeve Reuters.
Vendimi i kufizimit të aksesit për Reuters dhe Bloomberg vjen pasi administrata Trump javën e kaluar humbi një sfidë gjyqësore të sjellë nga një tjetër media e njohur ajo e Associated Press, për përjashtimin e saj nga këto ngjarje.
Klan News