Ky filmim tregon momentet kur rreth 40 të burgosur, kryesisht shqiptarë dhe italianë, shpërthejnë në revoltë në burgun e Don Boskos në Piza të Italisë mbrëmjen e së mërkurës dhe e transmetuan drejtpërdrejt në Tiktok.

Shkak u bë zbulimi i disa përgjuesve në qelitë e tyre.

Ata morën kontrollin e një reparti të tërë, u barrikaduan brenda dhe kërkuan takim me komandantin e policisë së burgut dhe drejtoreshën e institucionit.

Transmetimi u bë përmes një celulari të futur ilegalisht, ku të dënuarit shfaqen duke folur në italisht dhe shqip, denoncojnë përgjimet investigative, cënimin e privatësisë dhe dhunën e gardianëve.

Për të rivendosur rendin, dhjetëra forca policie, karabinierë e trupa ndërhyrëse rrethuan burgun.

Gjatë përplasjeve u përdorën edhe gaz lotsjellës, ndërsa disa ambulanca mbërritën për t’u ardhur në ndihmë të lënduarve.

Situata u vu nën kontroll vetëm vonë gjatë natës pas negociatave. Disa nga nxitësit e revoltës u transferuan me urgjencë në burgje të tjera të Toskanës.

Përveç përgjimeve, si shkaqe të revoltës u ngritën edhe mbipopullimi dhe kushtet e këqija higjieno-sanitare të burgut.

/tvklan.al