4 nëntor 2026 – Analisti Albatros Rexhaj ka bërë deklarata të forta lidhur me zhvillimet brenda Partisë Socialiste dhe çështjen e drejtësisë që përfshin zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

I ftuar në emisionin e sotëm “Opinion”, Tv Klan, Rexhaj pretendoi se nga brenda dhe jashtë Partisë Socialiste janë organizuar përpjekje për të ndryshuar pushtetin në Shqipëri përmes ndikimit mbi sistemin e drejtësisë. Sipas tij, këto përpjekje kanë nisur në tetor të vitit të kaluar dhe kanë përfshirë persona me interesa politike, biznesi, si dhe individë që, sipas analistit, kanë pasur lidhje me grupe kriminale.

“Realiteti është tjetër, realisht puçi ka dështuar. Në tetor të vitit të kaluar ka filluar puçi, puç i orkestruar me elementë të ndryshëm, të cilët janë nga brenda Partisë Socialiste, me elemente jashtë Partisë Socialiste, me njerëz të cilët kanë pasur interesa të biznesit. Me njerëz të cilët kanë përfaqësuar edhe interesat e grupeve kriminale, të cilat kanë orkestruar domethënë lidhje, gjëra nga më të ndryshmet, me idenë që do të kemi një ndryshim pushteti në Shqipëri duke përdorur gjyqësorin, duke përdorur fuqinë e prokurorisë. Kjo ju dështoi. Është e vërtetë që kryeministri ka thënë: “Sikur të kishit ardhur me akuzë për korrupsion, unë do t’ia kisha hequr imunitetin”, me një akuzë të argumentuar, dhe ai do ta kishte bërë. Pastaj, kur tha kryeministri kështu, elemente të ndryshme të lidhura me biznesmenë… për këto gjëra ekzistojnë dëshmi, të gjitha. Këtu kemi një ndërlidhje të njerëzve që kanë manipuluar deri në Berlin në këtë pikë. Njerëz të cilët kanë pasur ambicie të sëmura për të marrë pushtetin në mënyrë jodemokratike, edhe me puç gjyqësor. Kur ka thënë Edi Rama “duhet të kishim pasur për korrupsion”, këta janë çuar i madh e i vogël për të krijuar një akuzë për korrupsion. Ekzistojnë dëshmi të cilat kanë për të dalë në një moment të dytë. Nuk flas në ajër, ku përfshihen edhe pronarë të mediave”, u shpreh ai.

Gjithashtu, Rexhaj pretendoi se objektivi i këtyre lëvizjeve ka qenë kryeministri Rama dhe pushteti i tij. Sipas analistit, Balluku është përdorur si instrument për të arritur këto synime.

“Targeti i këtij muhabeti ka qenë Edi Rama. Belinda ka qenë thjesht mjeti për të arritur te Edi Rama, te pushteti i tij politik. Njerëzit kanë deklaruar në prani të zyrtarëve të lartë evropianë: “I ka ardhur fundi Edi Ramës dhe duhet të përkrahim një alternativë tjetër”. Flasim normalisht nga Partia Socialiste. PS-ja nuk mund të rrëzohet vetëm nga PS-ja, nuk mund të rrëzohet nga PD-ja për momentin”, shtoi ai.

/tvklan.al