Rey Manaj po i afrohet gjithnjë e më shumë majës së historisë së golashënuesve të Kombëtares shqiptare. Sulmuesi kuqezi gjeti rrugën e rrjetës në fitoren 3-0 ndaj San Marinos dhe regjistroi golin e tij të 12-të me fanellën e Shqipërisë.
Një gol që nuk ishte thjesht një tjetër statistikë në bilancin e tij personal, por që e fut Manajn edhe më fort në garën për të shkruar emrin në historinë e Kombëtares.
Me 12 gola, sulmuesi ka barazuar kuotën e Armando Sadikut dhe tashmë është vetëm një gol larg disa prej emrave që kanë lënë gjurmë te Shqipëria.
Përpara tij në listën e golashënuesve historikë janë Sokol Cikalleshi dhe Ervin Skela me nga 13 gola, ndërsa Alban Bushi ka 14.
Por objektivi më i madh është shumë më lart, Erjon Bogdani dhe rekordi i tij prej 18 golash me Kombëtaren.
Manajt i duhen edhe gjashtë gola për të barazuar rekordin e Bogdanit dhe shtatë për ta kaluar atë.
Një diferencë që në pamje të parë mund të duket e konsiderueshme, por që 29-vjeçari ka tashmë përpara një sfidë të qartë personale sa herë që vesh fanellën kuqezi.
12 gola deri tani, 18 për rekordin. Kjo është shifra që e mban në lojë sulmuesin shqiptar për një nga rekordet më të rëndësishme individuale të Kombëtares.
Nëse vazhdon të jetë protagonist dhe të gjejë rrjetën në ndeshjet e ardhshme, Manaj mund të ngjitet gradualisht në listë. Tashmë gara është bërë edhe më interesante.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
