Rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë ka vijuar të rritet gjatë vitit 2026, duke arritur në muajin tetor në 8.75 miliardë euro.

Të dhënat tregojnë një shtesë prej rreth 1.67 miliardë eurosh krahasuar me fundin e vitit 2025, ose afro 24% më shumë në vetëm dhjetë muaj.

Rritja mbështetet kryesisht te investimet në tituj financiarë, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të rezervës.

Në fund të tetorit, vlera e tyre arriti në 7.14 miliardë euro, nga 5.44 miliardë euro në dhjetor të vitit të kaluar.

Brenda kësaj kategorie, peshën kryesore e kanë titujt me afat të gjatë, që kapin vlerën e 6.65 miliardë eurove.

Ndërkohë, ari monetar vlerësohet në 415 milionë euro, ndërsa mjetet në formën e monedhave dhe depozitave arrijnë në 927 milionë euro.

Edhe treguesi i rezervës dhe likuiditetit në valutë të huaj konfirmon këtë ecuri.

Rritje kjo që forcon rezervën valutore të vendit, e cila shërben si një mekanizëm sigurie për përballimin e nevojave të jashtme dhe goditjeve të mundshme në ekonomi.

/tvklan.al