88 kryekomisarë e 20 drejtues policie japin provim me shkrim te Akademia e Sigurisë

88 kryekomisarë iu nënshtruan testimit me shkrim për të fituar gradën Drejtues, ndërsa 20 Drejtues për të fituar gradën Drejtues i Parë. Nga 108 konkurrentë, pritet të fitojnë 52 oficerë policie. Në strukturat e policisë së shtetit, janë 40 vende të lira për Drejtues dhe 12 vende të lira për Drejtues të Parë. Konkursi për gradën drejtues dhe drejtues i parë rihapet pas thuajse dy vitesh nga gara e fundit, ku aplikuan më shumë se 130 oficerë policie, dhe fituan 60 prej tyre.

Pas provimit me shkrim, oficerët e policisë do të përballen dhe me testimin psikologjik.

Për dy gradat e tjera Komisar dhe Kryekomisar pritet të zhvillohet testimi me shkrim javën e ardhshme. Këto dy grada rihapen pas 5 vitesh ndërprerje me urdhër të drejtorëve të Policisë së Shtetit.

Konkursi i gradave vjen në një kohë që po diskutohen ndryshime në ligjin e Policisë së Shtetit, dhe po kryhet procesi i vetëpastrimit. Kjo pasi gjatë muajve të fundit ka patur disa punonjës policie që janë konstatuar në veprimtari të paligjshme apo të përfshirë në krimin e organizuar.

Klan News

/tvklan.al