Një vepër arti, që sjell në vëmendje një nga figurat më ikonike të muzikës botërore, Michael Jackson, pritet të dalë në ankand në Francë.
Bëhet fjalë për portretin e titulluar “The Book”, realizuar në vitin 1989 nga artisti australian Brett-Livingstone Strong, i cili konsiderohet si i vetmi portret formal për të cilin Mbreti i Pop-it ka pozuar gjatë gjithë karrierës së tij.
Piktura paraqet Jackson-in të ulur, i veshur me një xhaketë të kuqe, me duart mbështetur mbi një libër të mbyllur.
“Ka shumë simbole që rrethojnë këtë pikturë, veçanërisht bota e Neverland-it. Por, për mua, më e rëndësishmja është simbolika e asaj që përfaqëson vetë Michael Jackson. Njerëzit gjithmonë kanë ngatërruar personazhin e tij publik me jetën private. Në këtë vepër, të dyja këto dimensione ndërthuren. Në këtë imazh shfaqet edhe bota e tij e brendshme, e përfaqësuar nga libri”, tha eksperti i Kulturës Pop, Arthur Perault.
E përfunduar në dhjetor të vitit 1989, mes publikimit të albumeve të suksesshme “Bad” dhe “Dangerous”, vepra u prezantua për herë të parë për publikun në Beverly Hills, në janar të vitit 1990.
Në atë kohë, ajo ishte blerë për 2.1 milionë dollarë. Pas kësaj, piktura u zhduk për dekada nga vëmendja publike.
Tashmë, 36 vite pas prezantimit të saj të parë, vepra rikthehet për publikun. Vlerësimi paraprak i saj varion nga 300 mijë deri në 500 mijë euro.
“Kjo është vërtet e jashtëzakonshme. Është hera e parë që vepra prezantohet sërish, 36 vite më vonë. Herën e parë u ekspozua në Beverly Hilton, në një ngjarje të madhe ku morën pjesë shumë gazetarë. Ekzistojnë fotografi dhe video arkivore që dëshmojnë emocionin që shkaktoi prezantimi i saj. Më pas, piktura u zhduk për disa dekada. Tani është rikthyer për pak ditë dhe, për mua, është një dhuratë e mrekullueshme për fansat evropianë të Michael Jackson-it”, tha Perault.
Rikthimi i “The Book” sjell sërish në vëmendje një anë më pak të njohur të Michael Jackson-it, atë ç’ka publiku nuk kishte mundësi ta njihte, botën e tij të brendshme.
Një portret që, përtej vlerës financiare, mbetet një dëshmi e rrallë artistike e trashëgimisë së Mbretit të Pop-it.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
