Moti i keq dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë sërish veriun dhe verilindjen e vendit. Rinisja e reshjeve të dëborës është shoqëruar me probleme në disa akse rrugore.

Rreth 30 nxënës dhe mësues janë bllokuar përreth dy orë në Qafë Mali të Elbasanit. Autobusi me të cilin ata udhëtonin nuk ka mundur të vazhdojë rrugën për në Labinot Mal, shkak është bërë ngrica dhe akulli në rrugë.

Në tentativë për të kaluar rrugën autobusi ka rrëshqitur për disa metra, por fatmirësisht ka ndaluar duke evituar aksidentin. Ndërhyrja e fadromave të komunës nuk ka mundur ta përmirësojë situatën, çka ka detyruar mësuesit dhe nxënësit të kthehen mbrapsht.

Intensiteti i reshjeve të dëborës është shtuar në orët e mesditës në Malësinë e Madhe, Kukës, Pukë dhe Peshkopi. Aktualisht në qarkun e Shkodrës mbetet e bllokuar rruga Tamarë-Vermosh dhe Kir-Mali i Shoshit.

Ndërsa të izoluara janë Kelmend, Shalë dhe Shosh. Në Pukë është i pakalueshëm aksi që lidh qytetin me fshatin Mid në Malësinë e Krrabës. Ndërsa pa komunikim janë disa fshatra të komunës Iballë.

Autoritetet lokale në këtë zonë kanë kërkuar të shtyhej deri ditën e premte mos zhvillimi i mësimit në shkolla. Duke shpresuar në një përmirësim të motit.  Në Kukës mbeten të izoluar fshatrat Arrën, Zapot, Shishtavec dhe Grykë Çajë si dhe Lek Bibaj në Tropojë e Gjinaj në Has.

Borëpastruesit që prej 2 ditësh vazhdojnë hapjen e rrugëve rurale. Por me nisjen e reshjeve të dëborës bëhet më e vështirë rihapja e tyre.

Shefqet Bruka: “Bora është shumë e madhe, në zonat mbi 800 metër është mbi 1 m. Vështirësitë janë të mëdha të mjeteve motorike për tu hapur sepse ka vështirësi. Ne nuk kemi ndonjë emergjencë mjekësore, nuk kemi emergjenca ushqimore dhe emergjenca në blegtori.”

Më e rënduar situata është në zonën e Dibrës. Rruga Peshkopi-Kukës aktualisht kalohet vetëm me zinxhir deri në Kalanë e Dodës. Ndërsa rrugët rurale edhe pse janë të hapura shkojnë deri në qendrat e komunave duke lënë të izoluara me dhjetëra fshatra.

Në këto zona vazhdon prej disa ditësh shpërndarja e ndihmave nga ajri me helikopter. Sipas specialistëve të drejtorisë së emergjencave nëse rënia e dëborës do të vazhdojë me këto ritme, atëherë pritet një përkeqësim i situatës humanitare në zonat që janë të bllokuara./tvklan.al