Rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe pritshmëria se kjo mund të jetë fushata e fundit, kanë shtuar interesin e qytetarëve për rivlerësimin e pronave.

Vetëm në shtatë muajt e parë të vitit janë përfunduar 18 mijë e 777 aplikime, me Tiranën në krye të listës.

“Kjo fushatë rivlerësimi ka konfirmuar nevojën e lartë të tregut. Nëse vijojmë me këtë ritëm, jemi rreth 25-30% më tepër se fushatat e kaluara. Numri i aplikimeve është rritur dhe volumet kanë qenë të larta edhe në arkën e shtetit, me të ardhura që deri në dhjetor parashikohen rreth 120 milionë euro, rreth tre herë më shumë”, tha kreu i Shoqatës së Ndërmjetësuesve të Pasurive të Paluajtshme, Reinaldo Pipiria.

Tirana kryeson me 7,475 aplikime, ndërsa drejtoria që përfshin Durrësin, Kavajën dhe Krujën regjistron 3,508. Pas tyre renditen Vlora me 1,151 dhe Fieri me 775 pasuri të rivlerësuara.

“Kjo konfirmon nevojën e tregut dhe interesin e lartë, por edhe rritjen e çmimeve të tregut. Rivlerësimi ndihmon që vlerat e pronave të dalin më pranë realitetit dhe të shkojmë drejt formalizimit në vitet në vijim. Perceptimi i qytetarëve është se kjo do të jetë fushata e fundit dhe për këtë arsye të gjithë nxitojnë”, tha Pipiria.

Sipas të dhënave fiskale, nga marsi në gusht tatimpaguesit kanë kursyer 140 milionë euro kosto fiskale përmes procesit të rivlerësimit ndërkohë që aplikimet do të vijojnë deri më 31 dhjetor 2026.

/tvklan.al