Norma e reduktuar e tatimit prej 5% të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, ka sjellë kursim të konsiderueshëm për qytetarët dhe bizneset që kanë kryer transaksione me pronat e tyre në vend.
Sipas shifrave zyrtare të Administratës Tatimore, vetëm gjatë periudhës Mars–Shtator 2026, kostoja fiskale e kursyer për tatimpaguesit llogaritet në 156 milionë euro.
Shifra e mësipërme përfaqëson efektin e lehtësisë fiskale të krijuar nga rivlerësimi që u krijon mundësinë pronarëve të përditësojnë vlerën e pasurive të paluajtshme kundrejt tatimit prej 5%.
Administrata Tatimore e konsideron këtë një lehtësi konkrete fiskale, e cila ka ulur barrën për qytetarët dhe bizneset duke krijuar një përfitim të drejtpërdrejtë për tatimpaguesit.
Gjithashtu skema e rivlerësimit krijon njëherësh stimul për formalizimin e vlerës së pasurive, duke afruar vlerën e regjistruar të tyre me atë të tregut real.
Ky përfitim bëhet më i prekshëm kur prona shitet, pasi tatimi mbi kalimin e së drejtës së pronësisë llogaritet mbi një diferencë më të vogël ndërmjet vlerës së shitjes dhe asaj të njohur në mënyrë fiskale.
Nga ana tjetër, rivlerësimi është veçanërisht i rëndësishëm për pronat që rezultonin të regjistruara me vlera dukshëm më të ulëta se çmimet aktuale.
Kjo pasi duke paguar tatimin prej 5% mbi diferencën që krijohet nga rivlerësimi, pronari përditëson vlerën fiskale të pasurisë, e cila më pas shërben si bazë për llogaritjen e detyrimit në rast të një transaksioni të ardhshëm.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 