Kursimet e qytetarëve dhe bizneseve shqiptare gjatë muajit gusht, që përkon me pikun e sezonit turistik, u zhvendosën drejt monedhës euro. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, depozitat në euro u rritën më shpejt dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me sezonin turistik, kur në vend hyjnë më shumë euro nga të huajt, por edhe nga emigrantët shqiptarë që kthehen gjatë verës për pushime.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, depozitat në euro arritën në rreth 9.5 miliardë euro, duke u rritur me 2.54% ose 236 milionë euro, krahasuar me muajin e mëparshëm. Kjo rritje erdhi si nga bizneset, ashtu edhe nga individët.

Ndërsa për muajt korrik dhe qershor, depozitat në euro shënuan përkatësisht vlerat 9.3 miliardë euro dhe 9.2 miliardë euro, pasi edhe këta dy muaj të verës regjistrojnë prurje të mëdha të monedhës europiane për shkak të numrit të lartë të vizitorëve të huaj.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, depozitat në lekë arritën në 789.4 miliardë lekë në gusht dhe, krahasuar me muajin korrik, ato u rritën me rreth 7.5 miliardë lekë.

Klan News

/tvklan.al