Hyjnë në fuqi masat e reja antiCovid 

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dha “dritë jeshile” për heqjen e orës policore, që deri dje ishte nga mesnata e deri në 04:00 të mëngjesit. Vendimin që ishte miratuar dje, para mesnate, Qeveria e publikoi në “Gazetën Zyrtare” me çka hynë në fuqi edhe masat tjera lehtësuese.

Krahas heqjes së kufizimit të lëvizjes, tashmë lejohet organizimi i dasmave dhe ahengjeve tjera familjare, me më shumë se 100 mysafirë kurse lejohen edhe koncertet dhe ahengjet nëpër lokalet dhe klubet e natës, vetëm nëpër ambiente të hapura, me 50% të kapacitetit dhe jo më shumë se 1.000 mysafirë.

Autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut zbutjen e masave e arsyetuan me stabilizimin e situatës epidemiologjike dhe rritjes së numrit të të vaksinuarve.

Në punktet e vaksinimit në vend deri dje janë vaksinuar 263.083 qytetarë, kurse janë rivaksinuar 195.048 të tjerë. Ndjeshëm kanë rënë edhe shifrat e infektimeve të reja dhe vdekjeve nga COVID-19. Java e fundit shënon 142 raste të reja dhe 10 viktima.

Por, nga lehtësimi, masave nuk kanë përfituar të gjithë. 28 studentë të moshës 20 dhe 21-vjeçare, përballen me kallëzime penale për shkak se kanë shkelur masat kundër grupimit dhe janë kapur në një banesë në Shkup duke festuar dhënien e provimit të anatomisë.

Prokuroria Publike Shkup ka propozuar që studentët të dënohen me 100 gjoba ditore, ku secili nga 28 studentët duhet të paguajë nga 2.000 Euro. 

Klan Macedonia