Rod Stewart i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa mjekët e tij shprehen të kënaqur me ecurinë e rikuperimit. Edhe vetë këngëtari britanik ka bërë të ditur se tashmë ndihet më mirë dhe po e merr veten mirë.

Në një njoftim të publikuar në llogarinë e tij zyrtare, thuhet se, pas ekzaminimeve të mëtejshme mjekësore, Stewart iu nënshtrua me sukses një ndërhyrjeje të planifikuar për vendosjen e një stenti në një arterie koronare.

“Mjekët janë të kënaqur me ecurinë e rikuperimit të tij, ndërsa Rod është në gjendje shumë të mirë dhe i është rikthyer aktiviteteve të zakonshme të përditshme”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, me rekomandimin e mjekëve, këngëtari do t’i kushtojë katër javët e ardhshme rikuperimit dhe rikthimit të plotë të gjendjes fizike, përpara se të ngjitet sërish në skenë.

Kjo do të thotë se Stewart nuk do të mund të vijojë disa prej koncerteve të planifikuara në kuadër të turneut të tij aktual.

Në një deklaratë pas ndërhyrjes, Stewart u shpreh optimist për gjendjen e tij.

“Tashmë ndihem më mirë dhe po rikuperohem shumë mirë. Dua të falënderoj mjekët, infermierët dhe të gjithë ata që u kujdesën për mua në mënyrë të jashtëzakonshme”, tha ai.

Këngëtari shprehu gjithashtu keqardhjen që do të detyrohet të mungojë në koncertet e ardhshme, duke kërkuar ndjesë ndaj fansave të tij.

“Jam thellësisht i zhgënjyer që do t’i humbas këto koncerte dhe më vjen keq që po zhgënjej fansat e mi, por mezi pres të rikthehem në skenë dhe që shumë shpejt të kalojmë sërish kohë të bukur së bashku”, shtoi ai.

Lajmi për gjendjen e tij shëndetësore vjen vetëm dy ditë pasi këngëtari britanik u detyrua të shtynte në momentin e fundit koncertin e planifikuar në Cincinnati.

Edhe në qershor gjithashtu ai ishte detyruar të anulonte dhe shtynte disa shfaqje pasi u diagnostikua me një infeksion akut të rrugëve të frymëmarrjes, laringit dhe probleme të shkaktuara nga sforcimi i kordave vokale.

Stewart po zhvillon që prej muajit mars një seri koncertesh në kuadër të turneut “One Last Time”. Pavarësisht problemeve të fundit shëndetësore, Stewart ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga muzika dhe synon të rikthehet në skenë sapo gjendja e tij t’ia lejojë.

/tvklan.al