Rod Stewart ka shqetësuar sërish fansat e tij pasi u detyrua të anulonte një tjetër koncert për shkak të një problemi shëndetësor, detajet e të cilit nuk janë bërë të ditura, njofton Daily Mail.

Legjenda 81-vjeçare e muzikës rock, e cila në fillim të këtij viti anuloi disa koncerte për shkak të problemeve shëndetësore, nuk arriti të performonte më 9 gusht në Riverbend Music Center, në Cincinnati. Organizatorët konfirmuan se këngëtari iu nënshtrua një procedure mjekësore të papritur, por të vogël, që kërkonte ndërhyrje të menjëhershme.

Në një deklaratë, organizatorët njoftuan se koncerti do të shtyhej dhe se po punohej për gjetjen e një date të re. Ata theksuan se biletat e blera tashmë do të mbeten të vlefshme për koncertin e riplanifikuar, ndërsa shtuan se Stewart pritet të rikuperohet shpejt dhe mezi pret të rikthehet në Cincinnati.

Stewart kishte shkaktuar shqetësim te fansat edhe në qershor, kur anuloi një koncert në Kaliforni pasi pësoi një infeksion të rrugëve të frymëmarrjes, i cili më pas u shndërrua në laringit.

Një javë më vonë, ai ndërpreu përkohësisht një tjetër koncert në Utah dhe përdori një bombol oksigjeni në skenë. Incidenti mund të ketë qenë i lidhur me lartësinë e madhe të zonës. Po ashtu, këngëtari shtyu disa performanca në Red Rocks Park and Amphitheatre, në Morrison të Kolorados, duke shpjeguar se kishte nevojë të pushonte zërin.

Rod Stewart ndodhet aktualisht në SHBA në kuadër të turneut të tij të lamtumirës, “One Last Time”, të cilin e nisi në vitin 2024.

Këngëtari ka deklaruar se këtë vit ka rreth 40 koncerte në program, ndërsa vitin e ardhshëm planifikon të performojë në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë një koncert në O2 Arena.

“Mendoj se ndoshta ky do të jetë edhe fundi”, është shprehur më herët 81-vjeçari, duke lënë të kuptohet se turneu mund të shënojë kapitullin e fundit të karrierës së tij së gjatë në skenë.

/tvklan.al