21 nëntor 2026 – Nga Asambleja e Tiranës, pas kryeministrit Edi Rama, fjalën e ka mbajtur edhe deputetja e Partisë Socialiste, Ogerta Manastirliu. Ndër të tjera, Manastirliu ka falënderuar në mënyrë të veçantë Albana Koçiun dhe Ervin Demon, si dy udhëheqësit e fushatës së PS-së në territor.
“Vijojmë punimet e Asamblesë për Partinë Socialiste të Tiranës. Më lejoni që të prezantoj para jush organizimin e ri të strukturës sonë, të PS-së Tiranë, por së pari më lejoni që t’u uroj punë të mbarë, Albana Koçiut dhe Ervin Demos”, tha fillimisht Manastirliu.
E lakuar prej kohësh si një kandidate potenciale për Bashkinë e Tiranës nën logon e PS-së, Manastirliu ka bërë thirrje për punë intensive nga çdo socialist, teksa ka prezantuar edhe programin dhe mënyrën e organizimit nga Partia Socialiste. Gjithashtu, deputetja socialiste, ashtu si kryeministri Rama ka theksuar se nëse shqiptarët duan ta shohin Tiranën një qytet evropian dhe Shqipërinë në BE, duhet t’i besojnë vetëm PS-së dhe qeverisjes së saj.
“Ndaj organizimi i ri politik do të ketë pesë nivele përgjegjësie, me 19 deputetë, ministra, të ndarë në 27 njësitë zgjedhore të Tiranës. Kemi edhe tre grupe fshatrash, 34 blloqe do të mbeten si formë organizimi për praninë besnike në territor, me më shumë se 30 koordinatorë zonalë, 420 të deleguar dhe të gjithë skuadrën tonë socialiste të Tiranës. Kjo është skuadra jonë dhe është gati të nisë rrugëtimin për fitoren tonë të radhës në Bashkinë e Tiranës.
Roli i secilit është i rëndësishëm, secili socialist ka rol përtej kësaj salle, rol vendimtar, për punën që kryen për njerëzit në territor. Beteja është për Tiranën dhe Shqipërinë evropiane. Me fuqinë transformuese që vetëm PS ka, me kryeministrin Edi Rama dhe çdo socialist mbështetës që e di se rruga e vetme drejt BE-së kalon nga Partia Socialiste, ne nga sot nisim pikërisht këtë fushatë, e cila në tre drejtime kryesore, deri në dhjetor konsolidojmë strukturat, deri në mars në terren dhe më pas 9 maj i fitores historike”, mbylli fjalën e tij socialistja.
Fjalën e saj e mbajti edhe Albana Koçiu, e cila do të jetë drejtuese politike e Partisë Socialiste në Tiranë, ku në territor, do të jetë së bashku me Ervin Demon. Koçiu “dha besën” e saj, për të dëgjuar çdo socialist që ka halle, por edhe sugjerime, që në zgjedhjet e 9 majit, të shkojnë për fitoren e së majtës.
“Dua që të ndaj peshën e përgjegjësisë me të gjithë ju. Si një skuadër e madhe, të jemi bashkë për fitoren e majtë. Përgjegjësinë e ndajmë së bashku me Ervinin dhe japim besën për të qenë me çdo socialist të vërtetë, për t’i dëgjuar në çdo hall e shqetësim. Për të dëgjuar jo vetëm shqetësimet, por edhe sugjerimet, siç tha edhe kryeministri Rama, për të ndryshuar metodën. PS-ja është një derë e hapur për të gjithë”, tha ndër të tjera Albana Koçiu.
Demo ashtu si Koçiu, kërkoi që socialistët të jenë të bashkuar në këtë rrugëtim, të cilën e quajnë sfidë dhe sakrificë. Ervin Demo kërkon që të bëhen bashkë, jo vetëm deputetët dhe drejtuesit, por edhe të gjithë ata socialistë, në secilën prej njësive administrative të Tiranës.
“Në këtë përgjegjësi të re, dua ta nis me diçka që e besoj fortë. Asnjë detyrë, sado e rëndësishme në jetë, nuk ka vlerë pa njerëzit me të cilët e ndan. PS-ja në Tiranë nuk është vetëm drejtimi, deputetë apo drejtuesit e organizatës, janë njerëzit që i japin jetë çdo ditë. Ne kemi ardhur me bindjen që duhet të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë një marrëdhënie ku secili ndihet i vlerësuar. Kemi përballë zgjedhjet, që kërkojnë seriozitet dhe shumë punë. Forca jonë nuk qëndron vetëm tek përvoja që kemi ndërtuar ndër vite, por edhe hapja jonë ndaj ideve të reja”, ishin fjalët e Demos.
/tvklan.al












Botërori 2026 
