Qytetarët mbi 18 vjeç mund të imunizohen nga ora 08:00-20:00

Muaji Shtator ka shtuar interesin e qytetarëve për t’u imunizuar me vaksinën anti-Covid, e veçanërisht për grupmoshën e të rinjve. Në pikën e sheshit “Skënderbej” injektohen deri në 1 mijë doza nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes.

Kemi një rritje të dukshme të personave që vijnë të vaksinohen dhe kryesisht të moshave të reja. Për shifra mesatarisht mund të jemi nga 500-1000 veta që vaksinohen mesatarisht në ditë nga ora 08:00-20:00”, tha Shefja e Kujdesit Parësor, Ariela Malaj.

Nëse deri para pak kohësh qytetarët ishin të intereszuar për marrjen e vaksinës kryesisht për të udhëtuar jashtë, tashmë imunizohen për shkak të frikës nga shtimi i infektimeve.

“Arsyeja më madhore është padiskutim mbrojtja nga virusi. Kjo vaksinë mbron nga forma e rëndë dhe nga forma fatale. Çdo qytetar duke parë situatën kritike që po krijohet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, është më i interesuar të mbrojë shëndetin e tij”.

Specialistët shprehen se qytetarët nuk kanë pse te shqetësohen nëse deri në 48 orë pas marrjes së vaksinës mund të kenë ndonjë efekt anësor të lehtë, pasi është normal sipas tyre. Deri më tani në vendin tonë kanë mbërritur rreth 2 milionë doza vaksinash anti-Covid ndërkohë që sipas Kryeministrit Rama jane injektuar 1.5 milione doza. Në total pjesë e procesit janë bërë mbi 850 mijë persona, prej të cilëve vetëm 188 mijë kanë marrë një dozë ndërsa pjesa tjetër i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.

Klan News