Me të njëjtin argument, maxhoranca rrëzoi në konferencën e kryetarëve edhe dy kërkesat e reja të demokratëve: atë për hetimin e veprimtarisë së AAK-së, si dhe kontrollin parlamentar të kontratave koncensionare dhe ndërtimin e rrugëve, duke e çuar në 5 numrin e nismave të refuzura prej saj.

“Nëse opozita nuk di të formulojë një ekspertizë për komision hetimor, jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizën. Nuk duhet të ndërhyhet në kompetencat e gjyqësorit, kur këto hetime po kryhen nga pushteti gjyqësor”, tha Taulant Balla, kryetar i grupit të PS-së.

Për opozitën, vendimi i socialistëve është jo vetëm goditje ndaj parlamentarizmit, por edhe integrimit europian të vendit.

“Bëhet kërkesa e 5 për ngritjen e komisionit hetimor, që maxhoranca me votë politike pengon opozitën të kryejë kontroll parlamentar. Mocioni i 7 me debat rrëzohet. Maxhoranca po bën gjithçka për të vonuar procesin e integrimit”, shprehet Gazment Bardhi, kryetar i grupit të PD-së.

Mosdakordësi palët patën edhe për ndryshimet e reja në rregullore, për të cilën socialistët kërkuan të futen në rendin e ditës, ndërsa opozita tha se nuk ka urgjencë për shqyrtimin e tyre pa u zbardhur më parë vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Sakaq, në një mbledhje para asaj të konferencës së kryetarëve, Sekretariati i Etikës përjashtoi me 20 ditë deputetin Flamur Noka dhe me 10 ditë demokraten Elda Hoti pas përplasjeve në seancën plenare të së enjtes, ndërsa për Albana Vokshin dhe Taulant Ballën nuk pati masë ndëshkimore.

Tv Klan

/tvklan.al