17 nëntor 2026 – Një avion ushtarak serb, që dyshohet se ishte i tipit MiG-29, është rrëzuar të martën në afërsi të Stara Pazovës, në veriperëndim të kryeqytetit Beograd. Sipas raportimeve të mediave lokale, piloti ka humbur jetën.

Avioni, me origjinë ruse, u rrëzua në një zonë fushore mes Stara Pazovës dhe Nova Pazovës. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë mbetjet e avionit të përfshira nga flakët, ndërsa nga vendngjarja ngriheshin shtëllunga të dendura tymi të zi.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën ekipet e zjarrfikësve, autoambulancat, forcat e policisë dhe policia ushtarake.

Deri më tani, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk ka dhënë një njoftim zyrtar për ngjarjen, duke mos konfirmuar as llojin e avionit dhe as raportimet për vdekjen e pilotit.

Shkaqet e rrëzimit mbeten ende të paqarta, ndërsa identiteti i pilotit nuk është bërë publik.


/tvklan.al