Çmimi i naftës në tregun me pakicë në Shqipëri ka pësuar rritje gjatë ditëve të fundit, duke shkuar në 219 lekë/litër nga 215 lekë që ishte pak ditë më parë. Edhe pse Bordi i Transparencës nuk është më funksional, pikat e karburanteve në kryeqytet kanë kryesisht të gjitha të njëjtin çmim të vendosur nëpër tabelat e tyre.

Jo vetëm nafta, por edhe benzina ka pësuar rritje të çmimit gjatë këtyre ditëve, duke u shitur me 205-209 lekë për litër në pikat e tregtimit me pakicë.

Ndërsa çmimi i gazit mbetet kryesisht me çmime konstante në tregun vendas, ku 1 litër kushton nga 69-73 lekë në pikat e shitjes.

E teksa çmimet e hidrokarbureve në Shqipëri kanë pësuar rritje graduale, sipas Reuters, në tregun global çmimet e naftës ranë me më shumë se 1 dollar për fuçi.

Më konkretisht, kontratat e ardhshme të naftës së papërpunuar Brent ranë në 92.90 dollarë për fuçi, ose 1.6% më lirë, ndërsa nafta e papërpunuar amerikane West Texas Intermediate në 85.32 dollarë për fuçi, duke pësuar rënie të çmimit me 2%.

Tv Klan

/tvklan.al