Shpresat për fundin e luftës në Lindjen e Mesme janë rritur këtë të enjte.
Ndërmjetës të lartë pakistanezë, përfshirë shefin e ushtrisë Syed Asim Munir, mbërritën në Teheran të mërkurën për bisedime që synojnë forcimin e armëpushimit midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara përpara se të skadojë javën e ardhshme, ndërsa administrata amerikane ka dhënë sinjale për një marrëveshje që do të hapte ngushticën kritike të Hormuzit.
Edhe pse një datë për raundin e dytë të bisedimeve SHBA-Iran nuk është caktuar ende, Mohammad Eslami, kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, tha se bisedimet duhet të njohin të drejtat, interesat dhe dinjitetin e Iranit që të jenë të frytshme.
Ndërkaq, ushtria amerikane po mban nën bllokadë ngushticën e Hormuzit duke mos lejuar hyrjen dhe daljen e asnjë anijeje nga portet iraniane. Komanda Qendrore Amerikane deklaroi se asnjë anije nuk ka kaluar që nga nisja e bllokadës dhe 10 mjete lundruese janë bindur urdhrit për t’u kthyer pas.
Sipas mediave, Irani po shqyrton mundësinë e lejimit të anijeve të lundrojnë lirshëm në anën omane të ngushticës pa rrezik sulmi, si pjesë e propozimeve në negociata, me kusht që të arrihet një marrëveshje për të parandaluar një konflikt të ri.
Zhvillime pozitive ka edhe në frontin tjetër të konfliktit, atë mes Izraelit dhe Libanit. Donald Trump tha se bisedimet midis udhëheqësve të të dy vendeve do të zhvillohen sot, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Po përpiqem të krijoj pak hapësirë për të marrë frymë midis Izraelit dhe Libanit. Ka kaluar shumë kohë që kur dy udhëheqësit kanë folur, rreth 34 vjet”.
Në këtë kuadër Benjamin Netanyahu do të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin libanez Joseph Aoun, konfirmoi ministrja e Informacionit e Izraelit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 