Një anije cargo e nisur nga Kina dhe e drejtuar drejt Iranit është ndalur dhe pjesërisht sekuestruar nga forcat speciale dhe ato konvencionale amerikane, në një operacion që u zhvillua në Oqeanin Indian, qindra milje larg bregut të Sri Lankës.

Lajmi u bë i ditur një muaj pas ngjarjes nga gazeta Wall Street Journal. Autoritetet amerikane kanë zbuluar se në bord të anijes ndodheshin materiale të përdorimit të dyfishtë, që mund të shfrytëzoheshin për qëllime ushtarake nga Republika Islamike e Iranit, përfshirë produkte që mund të përdoren si karburant për raketa.

Inteligjenca amerikane beson se Irani po përpiqet të rindërtojë arsenalin e tij ushtarak dhe raketor, i dëmtuar pjesërisht pas sulmeve izraelite dhe amerikane të kryera gjatë pranverës së kaluar. Ky riarmim i Republikës Islamike shqetëson qeveri të ndryshme ndërkombëtare. Në shtator, Kombet e Bashkuara vendosën një ndalim për blerjen dhe transportin e armëve drejt Iranit.

Bashkëpunimi ushtarak dhe teknologjik mes Kinës dhe Iranit ka rrënjë që nga vitet 1980 dhe është intensifikuar gjatë dekadave të mëvonshme. Pekini i ofron Iranit teknologji dhe materiale për të fuqizuar programin balistik, shpesh në këmbim të naftës.

Ky bashkëpunim ka qenë herë pas here në fokus të kritikave dhe sanksioneve amerikane. Më 12 nëntor, Departamenti i Thesarit të SHBA-së vendosi sanksione ndaj disa kompanive kineze dhe të Hong Kongut për mbështetjen ndaj Teheranit.

Ky rast nuk është i pari i këtij lloji. Në janar të vitit 2024, një cargo me armë drejt Yemenit u ndalua, ndërsa në vitet 2020 dhe 2023 dy petroliere me naftë iraniane nën sanksione ndërkombëtare janë ndaluar nga SHBA-ja.

Po ashtu, së fundmi në Karaibe, Garda Bregdetare amerikane sekuestroi një petrolier me naftë venezueliane, i cili aktualisht ndodhet në një port në Teksas, ndërsa ekuipazhi u lirua. Operacioni u autorizua nga Departamenti i Drejtësisë në bazë të një “urdhri sekuestrimi për anijen që transportonte naftë” në shkelje të sanksioneve të vitit 2019. Për shembull, cargo Skipper ishte sanksionuar më 2022 për transportin e naftës drejt Hezbollah në Liban.

Ky operacion vjen në një moment kur SHBA-ja paralajmëron se mund të ketë edhe ndërhyrje të tjera të ngjashme për të penguar riarmimin e Iranit dhe transferimin e materialeve me përdorim të dyfishtë, duke përfshirë teknologji dhe karburant raketor. Autoritetet amerikane theksojnë rëndësinë e monitorimit të transportit detar për të shmangur rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve rajonale dhe për të parandaluar përdorimin e materialeve të ndaluara nga regjimi iranian. /La Stampa/

/tvklan.al