Këtë të premte në të gjitha pikat e karburantit të kryeqytetit është konstatuar rritja e çmimit të karburanteve.
Një litër naftë në pikat e shitjes, nga 175 lekë që ishte më parë, çmimi i ri është 185 lekë, pra 10 lekë më shumë.
Edhe në ato pika ku çmimi ishte më i ulët, 173 lekë, tashmë është reflektuar rritja duke shkuar në 182 lekë/litri.
Ndërsa disa pika që reflektuan rritje të çmimit në fillim të javës, këtë të premte kanë reflektuar një rritje më të ulët, prej 5 lekësh, duke e rritur çmimin e naftës në 184 lekë/litri, nga 179 lekë që ishte më parë.
E njëjta gjë është vënë re edhe me benzinën, e cila ka pësuar pothuajse të njëjtën rritje, 7 deri në 10 lekë për litër, dhe tashmë tregtohet me 182 ose 185 lekë për litër në pikat kryesore të karburanteve.
Efektet e luftës në Lindjen e Mesme po ndihen kështu edhe në Shqipëri me rritjen e çmimit të karburanteve.
Rritja e çmimit të naftës është shënuar edhe në bursat e huaja. Çmimi i naftës Brent Crude është 88.9 USD për fuçi. Para nisjes së sulmeve, çmimi i naftës Brent Crude në bursë ishte 65 USD për fuçi.
Ndërsa çmimi i naftës së rafinuar, para sulmit, u ble me 700 USD për ton. Pas sulmit, çmimi u rrit në 900 USD për ton. Zgjatja e luftës mund të sjellë shtrenjtim të lëndëve djegëse, nëse rrugët tregtare dhe rafineritë e naftës dhe gazit do të sulmohen.
Sipas Shoqatës së Hidrokarbureve, çmimi i naftës mund të rritet deri në 20, por edhe 40 lekë për litër me këtë presion që po kalon tregu ndërkombëtar. Ndërkohë që Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se ka nisur monitorimin e tregut me shumicë dhe pakicë për të parandaluar çdo abuzim të mundshëm me çmimet në treg. Autoriteti paralajmëron se nuk do të tolerojë rritje artificiale që nuk reflektojnë bursën ndërkombëtare.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 