Bota po përballet me një goditje të fortë ekonomike pas përshkallëzimit të luftës mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit. Çmimet e naftës kanë shënuar rritjen më të lartë që prej korrikut të vitit 2022, duke kapërcyer vlerën e 111 dollarëve për fuçi.

E hëna ka nisur me një kaos të vërtetë në bursat ndërkombëtare, pasi çmimi i naftës bruto Brent u rrit me rreth 20%, duke arritur në 111 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI shënoi një kërcim rekord prej mbi 22%.

Shkak është bërë frika e ndërprerjes së furnizimeve përmes Ngushticës së Hormuzit, një arterie jetike për tregun global.

Nga Uashingtoni, presidenti Donald Trump ka deklaruar se rritja e çmimeve është “afatshkurtër”. Përmes një mesazhi në platformën Truth Social, Trump u shpreh se ky shtrenjtim është një “çmim i vogël” për sigurinë botërore, duke shtuar se lufta do të përfundojë vetëm kur kërcënimi bërthamor iranian të jetë asgjësuar plotësisht.

Ndërsa Izraeli kërcënon të eliminojë çdo pasardhës të udhëheqjes iraniane, eksportuesit e mëdhenj si Arabia Saudite po përpiqen të rrisin dërgesat përmes Detit të Kuq.

Megjithatë, të dhënat tregojnë se këto volume janë të pamjaftueshme për të zëvendësuar bllokadën në Hormuz.

Nga ana tjetër, ekspertët kanë paralajmëruar se çmimi i naftës do të varet nga sa do të zgjasë lufta: sa më shumë të zgjasë konflikti, aq më shumë do të goditet sektori ekonomik.

Klan News

/tvklan.al