Shoqata e bankave: 9% më shumë se vjet, preferohet Leku

Pavarësisht normave të larta të interesit, kredimarrja vijon të mbetet mjet stimulus për ekonominë. Të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Bankave flasin për një tendencë rritëse të kredimmarrjes së qytetarëve, të cilët vetëm përgjatë muajit Janar kanë tërhequr nga bankat e nivelit të dytë 730.1 mld Lekë hua, nga të cilat 273.5 mld Lekë janë tërhequr nga individët.

Sipas raportit pjesa më e madhe, 184.8 mld kanë shkuar për blerjen e një pasurie të patundshme. Vlera është rreth 9% më e lartë se në Janar të 2023-shit. Sipas qëllimeve të përdorimit, 96.2 mld Lekë kanë shkuar overdraft, 81 mld Lekë për blerje pajisjesh dhe 70 mld Lekë kapital qarkullues. Korporatat publike kanë marrë në total një hua prej 18.4 mld Lekësh, kryesisht në formën e overdraftit.

Sipas shifrave, më shumë se gjysma e kredive, rreth 450 mld Lekë, janë për t’u shlyer në afatgjatë, mbi 5-vjeçar ku dominojnë individët dhe monedha Lek. Valuta rezulton të jetë më e preferuar për kreditë afatmesme 1-5 vjeçare dhe bizneset e mëdha. Normat e interesit luhaten nga 5 deri në 8% sipas llojit të kredisë dhe monedhës. Ato raportohen më të larta për individët.

Tv Klan