Veprimtaria prodhuese në Shtetet e Bashkuara shënoi një rritje të dukshme gjatë muajit Mars, duke theksuar ndasitë në ritmet e zhvillimit mes ekonomisë më të madhe të globit dhe Eurozonës. Treguesit sipas Institutit Amerikan për Menaxhimin e Rezervave u rritën gjatë muajit Mars duke arritur në nivelin 53.4% nga 52.4% që ishte një muaj më parë.
Rritja tejkalon edhe parashikimet e ekspertëve, të cilët parashikonin që rritja të mos tejkalonte 53%. Niveli mbi 50%, sipas tyre është një tregues i fortë për rritjen e prodhimit industrial, rrjedhimisht edhe të rimëkëmbjes ekonomike.
E kundërta duket se po ndodh me Eurozonën ku treguesit e prodhimit industrial ranë në 47.7% në Mars, nga 49% që u shënua në Shkurt. Këtu ka ndikuar kryesisht rënia e fortë në nivelin 46.7% për Marsin në Francë, një prej ekonomive kryesore të zonës Euro, nga 50% që ishte në muajin pararendës.
Rënia e veprimtarisë prodhuese justifikon edhe shtimin e numrit të të papunëve, që sipas statistikave të Eurostat, të publikuara një ditë më parë shënonin 17.1 milion të papunë në hapësirën Euro, duke prekur 10.8% të popullsisë.
Nivel i kënaqshëm për Britaninë ku treguesit e veprimtarisë prodhuese shënuan 52.1% në Mars nga 51.6% në Shkurt. Në rang global, vihet re një përmirësim i situatës në sektorin e prodhimit në krahasim me vitin e kaluar, kur shifrat ishin nën 50%.
Për muajin Mars treguesit global ranë me vetëm 0.1% duke pasur parasysh që në Shkurt veprimtaria prodhuese shënonte 51.2%. Shqetësimi kryesor për prodhuesit mbeten çmimet tejet të larta të naftës dhe transportit./tvklan.al












Botërori 2026 