Çmimi i karburanteve në vend dita ditës shënon rekorde të reja. Së fundmi nafta dhe benzina janë barazuar në çmim 179 lekë për litër. Sipas importuesve rritja ka ardhur nga niveli i lartë i çmimit që ari i zi tregtohet në tregjet ndërkombëtare, efekt ky që transmetohet menjëherë në tregun vendas.
Por sipas Konfindustrisë javët e fundit çmimi të paktën duhet të qëndronte konstant, kjo për arsyen e rënies së dollarit ndaj lekut.
Gjergj Buxhuku: “Kemi 2 dukuri të cilat janë të kundërta me njëra tjetrën që po shohim sot me çmimet e karburantit. Një shkak është rritja graduale e çmimit të karburantit për shumë shkaqe në bursa botërore, por nga ana tjetër kemi edhe një fakt shumë të rëndësishëm që po ndodh kohët e fundit, kemi zhvleftësimin e konsiderueshëm të dollarit kundrejt lekut, pra monedhës tonë kombëtare. Pra këto dy dukuri të kundërta me njëra tjetrën, praktikisht duhet të kishin çuar jo në një rritje të fortë të çmimit të karburantit në vendin tonë.”
Rënia e dollarit në tregun vendas jep ndikim të drejtpërdrejtë në çmimin e karburanteve. Kjo pasi nafta që tregtohet në Shqipëri blihet kryesisht në bursën e Londrës me dollarë. Në Janar të këtij viti 1 dollar është këmbyer me 104 lekë, ndërsa aktualisht me 98 lekë, me një rënie prej 2.4 lekë. Kjo do të thotë se ulja e dollarit do të çonte dhe në uljen e çmimit të naftës, por krejt e kundërta ka ndodhur në treg.
Sipas konfindustrisë çmimi i naftës në Shqipëri nuk duhet të lejohet të jetë më i lartë se i vendeve të rajonit, pasi do të rriste koston e prodhimeve shqiptare duke i bërë më pak konkurruese.
Gjergj Buxhuku: “Çmimi i karburantit te ne nuk duhet që të jenë në tregues më të këqinj sesa ato të vendeve tona përreth. Në rast të kundërt ne rrezikojmë jo vetëm që të paguajmë më shtrenjtë karburantin si qytetar, por rrezikojmë që dhe të ulim forcën konkurruese të mallrave dhe shërbimeve tona.”
Rritja e çmimit të karburanteve si në Shqipëri po ashtu edhe në tregjet ndërkombëtare ka patur ndikim kryesor në rritjen e inflacionit në vend, kjo pasi ka patur rritje të kostove të produkteve që dalin në treg.
Vetëm në muajin Mars INSTAT konfirmon rritje të çmimit të naftës me 4.2% dhe të benzinës me 3.7%./tvklan.al
/tvklan.al












Botërori 2026 