Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme për një zgjidhje diplomatike të krizës me Iranin, por akuzoi Teheranin se nuk po tregohet serioz në bisedime.
“Fatkeqësisht, deri tani, megjithëse kemi arritur marrëveshje, ata nuk i kanë mbajtur zotimet e tyre. Nëse janë seriozë për bisedime, edhe ne jemi seriozë. Nëse jo, do të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbrojtur interesat tona dhe interesat e aleatëve tanë”, tha Rubio.
Komentet e Rubios u bënë gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të Azisë Juglindore, vetëm një ditë pasi tre cisterna me naftë saudite, ndryshuan itinerarin në Detin e Kuq, pas kërcënimeve të rebelëve Huthi, të mbështetur nga Irani.
Shefi i diplomacisë amerikane paralajmëroi se çdo përpjekje e Iranit për të kontrolluar Ngushticën e Hormuzit do të kishte pasoja që shkojnë përtej Lindjes së Mesme.
“Nëse krijohet precedenti që një shtet të vendosë të kontrollojë një rrugë ujore ndërkombëtare, të vendosë tarifa dhe të kërcënojë me sulme anijet që nuk paguajnë, atëherë kemi krijuar një precedent shumë të rrezikshëm, i cili mund të përsëritet edhe në rajone të tjera të botës, përfshirë këtë rajon”, tha Rubio.
Rubio e lidhi situatën në Gjirin Persik me shqetësimet e vendeve të Azisë Juglindore, shumë prej të cilave janë të përfshira në mosmarrëveshje territoriale me Kinën në Detin e Kinës Jugore.
Sipas tij, cenimi i lirisë së lundrimit do të rrezikonte jo vetëm sigurinë rajonale, por edhe ekonominë globale.
Administrata amerikane këmbëngul se diplomacia mbetet rruga e duhur për zgjidhjen e krizës, por paralajmëron se është e gatshme të ndërmarrë masa për mbrojtjen e interesave të saj dhe të aleatëve.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 